Rasti "Zhvatja", Janeva sheh dëshmitë me të cilat ngarkohet
Pas Bojan Jovanovskit, edhe e dyshuara e tretë në rastin "Zhvatja", Katica Janeva....

Pas Bojan Jovanovskit, edhe e dyshuara e tretë në rastin "Zhvatja", Katica Janeva, për më shumë se tre orë ka shqyrtuar dëshmitë me të cilat ngarkohet nga Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion. Megjithatë, për shkak të rregullave kohore të burgut, ish shefja e PSP-së u kthye në burgun e Shutkës pa përfunduar të njihet me të gjitha dëshmitë.
Avokatët mbrojtës theksojnë se Janeva pati mundësinë të shohë deklarimet e prokurorëve të PSP-së që ishin të ftuar në cilësinë e dëshmitarëve, megjithatë nuk iu lejua të kenë shqyrtim mbi procesverbalet e të dyshuarve në këtë rast.
“Nuk arritëm të mbarojmë me të gjitha, do të vazhdojmë edhe gjatë ditës së nesërme, ndoshta do të mbesin edhe për të hënën. Ne na dhanë në shqyrtim kopje nga deklarimet e dëshmitarëve, ndërsa nga dëshmitë e të dyshuarve nuk na është dhënë të bëjmë shqyrtim pa arsyetim se pse prokuroria mendon se ajo nuk është obligim i saj. Ne kemi mendim krejtësisht të kundërt dhe mendoj se të njëjtat duhet të na jepen në shqyrtim sipas praktikës në Strasburg”,- tha avokati mbrojtës, Delo Kadiev.
“Të mbarojmë shqyrtimin në dëshmitë e më pas, besoj javën e ardhshme, do të dorëzojmë edhe dëshmitë tona dhe propozimet për sigurimin e të njëjtave”,- tha avokatja mbrojtëse, Irena Frçkovska.
Edhe Janeva si dhe Bojan Jovanovski, për herë të dytë këtë javë kanë qenë në prokurori. Që të dy fillimisht kërkuan që të njoftohen me dëshmitë e më pas të japin deklaratën e tyre në prokurori rreth rastit.
Të hënën nga Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion kumtuan se hetimi për rastin "Zhvatja" ka përfunduar, ndërsa të dyshuar janë Bojan Jovanovski dhe Katica Janeva, që ndodhen në paraburgim, dhe Zoran Milevski, i cili u lirua në arrest shtëpiak. Sa i përket rastit "Zhvatja", kryeprokurori Joveski siguron se hetimi për të njëjtin është i drejtë dhe pa ndikime anësore.
“Procedura për zbardhjen e aferës së ashtuquajturës "Zhvatja" zhvillohet në mënyrë gjithëpërfshirëse, pa ndikime anësore, me sigurimin e dëshmive relevante kundër të involvuarve në veprat penalo juridike”,- u shpreh kryeprokurori, Lubomir Joveski.
Sipas Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion, të dyshuarit, biznesmenit Orce Kamçev, i kanë marrë mbi 1 milion euro me premtimin për ndikim tek ish shefja e PSP-së, Katica Janeva, kurse sa i përket rastit "Perandoria", procesohej nga PSP kundër Orce Kamçevit. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
