Inspektorati për zbatimin e gjuhëve, dispozitat ndëshkuese përplasën VMRO-në dhe LSDM-në

26.09.2019 18:22

Gjatë shqyrtimit të amendamenteve lidhur me propozim-ligjin për Inspektoratin për përdorimin e gjuhëve...

Gjatë shqyrtimit të amendamenteve lidhur me propozim-ligjin për Inspektoratin për përdorimin e gjuhëve në Komisionin për sistem politik, pushteti dhe opozita u përplasën rreth dispozitave ndëshkuese në rast të mosrespektimit të ligjit.

VMRO-DPMNE kërkoi mos të ketë dënime për institucionet që nuk e respektojnë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, por shumica hodhi poshtë kërkesën e tyre.

“Këtu janë të gjitha fjalimet tuaja, përfshi edhe kolegët që më nuk janë deputetë. Të gjithë ata në fjalimet e tyre qartë kanë thënë se nuk do të parashihen fare ndëshkime që do të dedikohen për përdorimin e gjuhëve. E gjithë kjo është thënë gjatë miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Me këtë amendament ne jemi udhëhequr nga ky premtim i juaji”,- tha Magdalena Manaskova nga VMRO-DPMNE.

Nga LSDM akuzuan VMRO-DPMNE-në se po manipulon me opinionin dhe po ndryshon tezat. Sipas tyre, gjobat u dedikohen personave juridikë që nuk do të respektojnë ligjin, dhe jo qytetarëve.

“Inspektimi i bëhet punës së institucioneve dhe procedurave që zbatohen para institucioneve. Kjo do të thotë se dispozitat ndëshkuese saktësisht u dedikohen institucioneve dhe të gjithë atyre që janë persona udhëheqës të cilët nuk do ta respektojnë zbatimin e këtij ligji, që do të thotë se gjobat nuk u dedikohen qytetarëve, siç ju dëshironi ta manipuloni opinionin”,- u shpreh Aneta Simeska Dimoska nga LSDM.

Ngarkimi me shumë detyrime ligjore mund të shtrojë nevojën për personel shërbyes më të madh se sa inspektorë, ngre dilemën  Rexhail Ismaili nga BDI.

“Ideja në fillim ishte që të bëhet një inspektorat efektiv, i cili do të jetë efektiv me një ekip profesional, më shumë inspektorë se sa shërbime ndihmëse, kurse tash me obligimet që po ia japim, koncetrimi do të jetë, më shumë do të ketë shërbime ndihmëse në kuadër të Inspektoratit se sa inspektorë”,- tha Rexhail Ismaili nga BDI.

Nga 20 amendamente të VMRO-DPMNE-së opozitare, propozuesi i ligjit pranoi 8 prej tyre, ndërkaq BDI tërhoqi 3 amendamentet e parashtruara.  (Naim Ramadani, TVM2)