Mançevski: Deri në fund të vitit, riorganizimi i administratës
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski...

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, bën të ditur se është drejt përfundimit të një projekti madhor i cili do ta prek të gjithë administratën shtetërore dhe publike, por edhe sektorin privat.
Sipas ministrit Mançevski, në përgatitje e sipër janë mbi 100 ligje të cilat do ta bëjnë shumë më efikase administratën, ndërsa pritet që disa punëtorë të sektorit publik të kalojnë në atë privat, si dhe shkurtim apo bashkim i disa institucioneve të vogla të cilat mund të funksionojnë në bashkëpunim me ndonjë institucion tjetër ku veprimtaria është pak a shumë e ngjashme.
Këto prononcime Mançevski i bëri gjatë debatit të dytë publik rreth Ligjit të ri për reformim të administratës.
“Analiza funksionale e çdo institucioni do të tregojë numrin e tepërt të vendeve të punës, jo numrin e punëtorëve, por numrin e vendeve të punës, sepse nuk do të mundet ai vend i punës pastaj të zëvendësohet me person tjetër. Kur një institucion do të vlerësojë se ai vend i punës është i tepërt, nuk ka të drejtë në atë vend ndoshta edhe për qëllime politike që e ke mbyll ta zëvendësosh me person tjetër. Prandaj shteti do të ofrojë tre pako të cilat do të jenë: rritja e pagës për kalim në sektorin privat dhe rikualifikimi i tyre për të kaluar pastaj në sektorin privat”,- tha ministri i shoqërisë informative, Damjan Mançevski.
Por, në të gjitha këto ndryshime sindikata kishte vërejtjet e tyre, e ku sipas kryetarit të Sindikatës, Pece Grujovski, pjesa më e lartë e këtyre pakënaqësive kishin të bëjnë me metodologjinë e vlerësimit të punëtorit në sektorin publik.
“Me këto propozime përmirësim nuk kemi akoma, ajo është konfuze, pastaj kemi vlerësim të punëtorëve nga institucionet tjera, të cilat vlerësojmë se nuk do të jenë lehtë të zbatohen sikur që ishte në ligjin paraprak”,- tha kryetari i Sindikatës, Pece Grujovski.
Mançevski po ashtu theksoi se ndryshimet do të përfundojnë deri në fund të vitit, ndërsa deri në tetor do të jetë gati regjistri elektronik i popullsisë. (Fitim Kryeziu, TVM2)
