Kumanovë, protestë për ujë të pijshëm
Banorët e rrugës “Kiro Fetak” në Kumanovë...

Banorët e rrugës “Kiro Fetak” në Kumanovë kanë protestuar para komunës së Kumanovës duke kërkuar zgjidhjen e problemit me ujin e pijshëm, pasi që siç thonë ata, gati tre javë përballen me defekte të përditshme në rrjetin e ujësjellësit.
“Lagja jonë është e njohur si lagje me banorë punëtorë dhe hallexhinj, të qetë dhe të ndershëm. Mirëpo me keqardhje duhet ta them se durimit tonë i ka ardhur fundi. Kësaj radhe do të protestojmë qetë, mirëpo radhën tjetër do të protestojmë ndryshe”,- theksoi Mesud Bajrami nga Këshilli organizativ.
“Lagja jonë moti kohë ka probleme infrastrukturore, si me ujësjellësin, kanalizimin, çdo vit i hapin kanalet dhe krijohen probleme”,- tha një protestues.
“Ndodhë nga një muaj mos të kemi ujë për 24 orë rresht, vijnë e rregullojnë një pjesë a pjesën tjetër e lënë ashtu të prishur, kërkojmë që nga fillimi e deri në fund të rrugës ai rrjet të rregullohet”,- theksoi një protestues.
“Ujë për pije blejmë, ndërkaq ujë për pastrim gjendemi kush si mundemi, kush nga bunarët e kush në familjarë, por me ditë të tëra nuk mundemi të pastrojmë as veten por edhe rrobat”,- u shpreh një protestues.
Deri sa po zgjaste protesta, drejtori i N. P. “Ujësjellësi”, Goran Stojkovski, ftoi një delegacion të protestuesve për të biseduar në ambientet e komunës. Mirëpo banorët e lagjes kur vërejtën se nuk është prezent kreu i komunës, Maksim Dimitrievski, por se vetëm drejtori dhe sekretarja e komunës, Desnka Stoshiq, nuk deshën të zhvillojnë kurrfarë bisede pa prezencën e kryetarit, duke e braktisur sallën e komunës.
“Bëhet fjalë për rrjet të vendosur diku nga viti 1968. Andaj kjo rrugë tashmë ka hyr në projekt dokumentacionin dhe në programin e punës së komunës së Kumanovës”,- shtoi mes tjerash drejtori i N. P. “Vodovod” – Kumanovë, Goran Stojkovski.
Banorët paralajmëruan protesta më radikale nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre. (Fatlum Aqifi, TVM2)
