Fakultetet e USHT-së në Kërçovë e filluan vitin e ri
Fakultetet e USHT-së të disperzuara në Kërçovë, e filluan vitin e ri akademik me ambicie të reja për studime cilësore sipas standardeve të sistemit evropian, kështu u tha studentëve të rinj që kanë përzgjedhur këtë universitet, dekani i Fakultetit Juridik, prof. dr. Mersim Maksuti.....

Pasi e shpalli të hapur vitin e ri akademik 2014/ 2015, në emër të stafit drejtues të USHT-së dhe stafit akademik, dekani i Fakultetit Juridik, Mersim Maksuti, studentëve të rinj kërçovarë ju uroi një fillim të mbarë e të suksesshëm.
USHT, tha Maksuti, garanton studime më të lira dhe më cilësore sipas standardeve të kërkuara nga sistemi evropian. Ju duhet ta ndjeni këtë universitet si pjesë të pandarë të jetës suaj, si institucion që do të ju pajisë me dituri dhe shkathtësi të nevojshme për jetë më të lumtur dhe të ardhme më të ndritur, u tha studentëve të rinj dekani i USHT-së, prof. dr. Mersim Maksuti.
Ai, në fjalën e tij shprehu shqetësim për reduktimin e studentëve në fakultetet e disperzuara në Kërçovë, që sipas tij, vjen si pasojë e migrimit të vazhdueshëm të popullatës së këtushme, duke dërguar edhe apel për udhëheqësinë e komunës që më seriozisht të punojë në drejtim të punësimit të kuadrove të reja që dalin nga ky fakultet, sepse në këtë mënyrë do të ndalohet plaga e migrimit të rinisë shqiptare nga trojet e veta.
Dukuria e uljes së vazhdueshme të numrit të nxënësve dhe studentëve është një brengë e madhe e shoqërisë civile. Prandaj janë të domosdoshme masa urgjente me të cilat do të ndërpritet zbrazja e vendbanimeve shqiptare të këtij rajoni. (Shaban Dalipi, TVM2)
