Maqedoni

Bundestagu i jep dritë të gjelbër negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

27.09.2019 10:21

Bundestagu i dha mbrëmë dritë jeshile qeverisë gjermane që në tetor të votojë për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë...

Për Maqedoninë e Veriut votuan 465 deputetë pro, nga 603 deputetë, kurse në votimin e Shqipërisë morën pjesë gjithsej 599 deputetë, prej të cilëve 395 votuan pro dhe 188 kundër, ndërsa 16 abstenuan. Dallimi në vota mes dy vendeve vjen si pasojë e votimit të liberalëve, FDP, pro Maqedonisë së Veriut dhe kundër Shqipërisë. Të Gjelbrit, iu bashkëngjitën kërkesës së dy partive të koalicionit, CDU/CSU dhe SPD, megjithëse ishin kundër kushteve shtesë të Bundestagut për Shqipërinë.
 
Në rezolutën për Maqedoninë e Veriut grupet parlamentare të koalicionit, ndër të tjera kërkojnë që të garantohet vazhdimi i kursit reformues dhe zbatimi i reformave të miratuara nga Maqedonia e Veriut. Gjithashtu rezoluta kërkon që të bëhet e qartë se "Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë të bëjë përpjekje të konsiderueshme shtesë për të përmbushur kriteret e pranimit, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, përfshirë edhe të drejtat themelore dhe efikasitetin e Zyrës së Prokurorit të Posaçëm, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe forcimin e institucioneve dhe për forcimin dhe  mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Planet e veprimit të propozuara nga Komisioni Evropian duhet të përmbajnë afate dhe synime të qarta, përmbushja e të cilave duhet të jetë një parakusht për hapjen e kapitujve të rinj”, thuhet në rezolutë. Ndër të tjera "Bundestagu ruan të drejtën të përdorë të drejtën e tij të përgjithshme për të komentuar nëse konstaton se kushtet për hapjen e kapitujve negociues nuk janë përmbushur."