Maqedoni

Rasti “Thesari”, sëmuret Mijallkov, nuk paraqitet në seancë

27.09.2019 12:02

Ish-shefi i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, nuk u paraqit në seancën gjyqësore për rastin “Thesari”...

Ish-shefi i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, nuk u paraqit në seancën gjyqësore për rastin “Thesari” dhe dorëzoi në gjykatë raport mjekësor për të arsyetuar mungesën. Për shkak të problemeve shëndetësore, Mijallkov ka kërkuar edhe pasaportën për shërim në Çeki, por kjo kërkesë iu refuzua.
 
Në pyetjen se përse mungoi klienti i tij në seancë, avokati i tij, Lupço Shvërgovski, sqaroi se Mijallkov ka probleme me lukthin dhe të vjella, por sqaroi se ai nuk është mjek dhe ftoi të interesuarit të shqyrtojnë raportin mjekësor. Prokurorët, Trajçe Pelivanov dhe Artan Airo, nuk kërkuan shqyrtimin e raportit. Gjykatësja, Xheneta Begtoviç, pohoi se i akuzuari ka paraqitur vërtetim mjekësor nga Spitali “Sistina” në të cilin sqarohet se Mijallkov ka pasur temperaturë, dhimbje dhe ngërçe dhe në 25 shtator i është rekomanduar shërim shtëpiak dhe i është caktuar terapi. Begtoviç ka caktuar seancën e radhës për pas tre ditësh, në mënyrë që gjykimi të mos rinisë nga fillimi, pasi në të kundërtën do të kalonin 90 ditë nga gjykimi i fundit. Ndërkohë, Gjykata do të kontrollojë gjendjen shëndetësore të Mijallkovit.
 
Në rastin “Thesari” që është hapur që nga 28 shtatori i vitit 2016, të akuzuar janë tre ish funksionarë të DSK-së dhe një i MPB-së, që akuzohen për shpërdorim të mbi 860 mijë eurove për furnizimin e pajisjeve për përgjim. PSP ka vlerësuar në aktakuzë se të dyshuarit kanë shpërdoruar para të shtetit për pasurim personal nëpërmjet disa marrëveshjeve dhe anekseve për furnizimin e pajisjes për përgjim  dhe procedurave për mirëmbajtjen e tyre.