Botë

ShBA, Pompeo akuzon regjimin sirian për sulme kimike

27.09.2019 12:56

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, e akuzoi regjimin sirian për përdorim të gazit...

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, e akuzoi regjimin sirian për përdorim të gazit të klorit në kundërshtim me konventat që e ndalojnë përdorimin e armëve kimike, në një sulm kundër rebelëve në verilindje të Sirisë, më 19 maj.
 
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i bëjnë presion regjimit tinëzar të presidentit sirian, Bashar al-Assad, për t’i dhënë fund dhunës së drejtuar kundër civilëve sirianë”,- tha Pompeo. Ai tha se Qeveria siriane ka përdorur armë kimike çdo vit nga 2013-ta, kur Damasku i është bashkuar konventës ndërkombëtare që e ndalon përdorimin e tyre.
 
Edhe ekspertët ndërkombëtarë e kanë fajësuar Sirinë për disa sulme me armë kimike në vitet e fundit. Damasku, i mbështetur nga Rusia, e ka mohuar përfshirjen në sulme të tilla dhe për to i ka fajësuar luftëtarët rebelë. Lufta civile në Siri ka nisur qysh në mars të vitit 2011. Gati gjysmë milioni njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.