Maqedoni

Objekti i ri për nxënësit në Idrizovë, MASh e painformuar për propozimin e komunës

27.09.2019 13:32

MASh ende pret informim zyrtar se cili është qëndrimi i komunës së Gazi Babës...

MASh ende pret informim zyrtar se cili është qëndrimi i komunës së Gazi Babës, për zgjidhjen e problemit me nxënësit shqiptarë në Shkollën fillore “Njegosh” në Jurumleri. Një ditë më parë, komuna ndryshoi qëndrimin dhe premtoi se do të ndërtojë objekt të ri për tre muaj, i cili do përshtatet për nevojat e nxënësve shqiptarë të Idrizovës. Por, zyrtarisht në MASh nuk ka mbërritur asnjë vendim. Ministri Ademi pret të informohet zyrtarisht, por thotë se ky premtim nuk mund të realizohet për tre muaj, siç ka premtuar kreu i Gazi Babës, Boris Georgievski, dhe deputeti i LSDM-së, Muhamed Zekiri. 
 
“Unë po pres informim zyrtar, të shohim se cili është informacioni zyrtar. Jo, për tre muaj nuk mundet të kryhet ndërtimi i shkollës”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.
 
Ademi: Nuk jemi imunë ndaj prapavijave politike
 
Ademi thotë se deri tani është munduar ta mbajë politikën jashtë zhvillimeve në arsim, për të mos dëmtuar cilësinë e procesit mësimor, por, sipas tij, ndodhitë e një dite më parë treguan se arsimi nuk jetë imune ndaj prapavijave politike.
 
“Ky test që patëm me komunën e Gazi Babës dëshmon se si klasë politike, si lidership, ende nuk jemi totalisht imun ndaj devijimeve dhe prapavijave të caktuara politike dhe politizimit të çështjeve të pastra arsimore”,- u shpreh ministri i arsimit, Arbër Ademi.
 
Zgjidhja në këtë periudhë, e propozuar nga komuna e Gazi Babës dhe deputeti i LSDM-së, derisa të përfundohet adoptimi i objektit në Idrizovë, është që për nxënësit shqiptarë të organizohet transporti deri në Shkollat “25 maji” apo “Kongresi i Manastirit”. Të shtunën do të mbahet një takim i ri mes komunës dhe Këshillit të prindërve. 
 
FLUTURA LATIFI