Çelja e negociatave, Timonie: Pritet vendimi i Macronit, vazhdoni reformat

27.09.2019 17:05

Bundestagu i dha dritë të gjelbër qeverisë gjermane....

Bundestagu i dha dritë të gjelbër qeverisë gjermane që në tetor të votojë për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Pas Gjermanisë, tani pritet të kuptohet edhe vendimi përfundimtar i Francës. 

Ambasadori,  Kristian Timonie, thotë se edhe nga presidenti Makron pritet të vijë dritë e gjelbër. Timonie rikujton se Franca dhe Gjermania e kanë të njohur situatën e procesit të jetësimit të reformave dhe presin që reformat nga "letra" të bëhen realitet.

“Secili me sistemin e vet. Ne presim dritë të gjelbër nga kryetari i republikës. Si gjithmonë, ne bashkëpunojmë me partnerët tanë gjermanë për këtë temë. Kemi qëndrim të mirë ndaj vendit tuaj dhe ndaj të gjitha hapave që bën vendi juaj në plan rajonal. Ne francezët dhe gjermanët e dimë shumë mirë se duhet ende punë,  që reforma që janë në letër të bëhen realitet”,- deklaroi ambasadori i Francës në RMV, Kristian Timonie.

Maas: Reformat vlerësohen, vazhdoni implementojini

Vendimi i Bundestagut është përshëndetur dhe komentuar nga zyrtarë të ndryshëm evropianë. Ai u vlerësua shumë pozitivisht nga ministri i jashtëm gjermanë, Hajko Maas. Bundestagu ka përcjellë sinjal pozitiv për Shkupin dhe Tiranën, ka thënë Maas për Dojçe Velen.

“Vendimi e nënvizon vlerën të cilën Ballkani Perëndimor e ka për BE-në. Njëkohësisht qartë vihet në njohuri se reformat vlerësohen. Të dy vendet duhet t’i vazhdojnë përpjekjet reformuese, për ta vazhduar rrugën drejt BE-së. Unë jam i bindur se qasja e kushtëzuar e Bundestagut do të bind edhe të tjerët në BE ta miratojnë fillimin e negociatave",- tha Maas.

Eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn, vendimin e Bundestagut e ka cilësuar si nxitje për reformat në Ballkanin Perëndimor dhe mundësi për ruajtjen e kredibilitetit të BE-së. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)