Shkup, sulm verbal ndaj mjekut në Spitalin “8 shtatori”
Aktualizohet sërish nevoja për mbrojtjen e mjekëve pas sulmit verbal....

Aktualizohet sërish nevoja për mbrojtjen e mjekëve pas sulmit verbal të një nate më herët në Spitalin “8 shtatori”, kur familjari i një pacienti që fatkeqësisht ndërroi jetë, sulmoi ashpër me fjalë njërin nga mjekët e ekipit kujdestar në Repartin e kujdesit intensiv.
Pas këtij incidenti, në repart me dhunë kanë hyrë edhe 6 persona të tjerë e për të qetësuar situatën u desh ndërhyrja e policisë.
“Rreth orës 23 të së enjtes, në Repartin për kujdes intensiv ka vdekur një pacient i moshës 67 vjeçare. Pacienti ishte pranuar në spitalin tonë në orën 14 dhe ekipi kujdestar e ka udhëhequr dhe trajtuar. Por, për shkak të gjendjes së keqe të tij shëndetësore, pacienti ka ndërruar jetë. Konflikti verbal me familjarët ka ndodhur në momentin kur familja u lajmërua për vdekjen e të ndjerit dhe atëherë, krahas sigurimit të spitalit, u lajmërua edhe policia, e cila ka ardhur menjëherë në vendin ku ishte duke u zhvilluar konflikti verbal mes personelit mjekësor dhe familjarëve”,- deklaroi drejtori i përgjithshëm i Qytetit “8 shtatori”, Hristijan Kostov.
Megjithëse në mëngjes u informua se mjekët kanë protestuar për të kërkuar mbrojtje, Kostov thotë se nuk ka pasur asnjë protestë, por vetëm mbledhje informuese me ekipin kujdestar rreth incidentit.
Incidenti pason sulmet e njëpasnjëshme brenda muajit nëpër spitale të ndryshme të vendit, për të cilën javën e kaluar u organizua protestë, ku u kërkua zgjidhje sa më e shpejt për këtë problematikë të kamotshme.
15 mjekë gjatë vitit kanë raportuar për sulme ndaj tyre, por sipas të dhënave jozyrtare, numri është shumë më i madh marrë parasysh edhe rastet e paralajmëruara.
Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar rritjen e masave të sigurisë në institucionet shëndetësore. (Leunora Kaliqi, TVM2)
