Fushata për pastrim falas të mbetjeve në ara, Shilegov: 120 bujq kërkuan ndihmën tonë
Qyteti i Shkupit këtë vit ka filluar me fushatën për pastrimin falas....

Qyteti i Shkupit këtë vit ka filluar me fushatën për pastrimin falas të kashtës së mbetur pas korrjes së grurit apo mbetjeve pas vjeljes së perimeve të ndryshme, të cilat shumë bujq të papërgjegjshëm, nga përtesa për t’i shkulur, i djegin, duke ndotur kështu ajrin që thithim të gjithë ne. Kjo fushatë ka si qëllim jo vetëm mbrojtjen e ajrit, por edhe të tokës bujqësore dhe parandalimin e zjarreve.
“Mund ta imagjinoni se sa tym do të shkaktonin 600 metra kub të djegura? Fushata për pastrim falas të kashtës pas korrjes së grurit dhe mbetjet e tjera po përfundon dhe me krenari mund të them që ka arritur rezultate të shkëlqyera deri më tani. Nga 20 gushti deri më sot, mbi 120 banorë kanë kërkuar ndihmë nga Qyteti i Shkupit për të larguar mbetjet nga arat e tyre”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
Sipas tij, kjo fushatë demonstroi më së miri se vetëm së bashku mund të kemi sukses të luftojmë për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm në qytetin tonë. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)
