Rasti “Zhvatja”, avokatët e Janevës vazhduan shqyrtimin e dëshmive

27.09.2019 18:04

Avokatët e ish prokurores speciale, Katica Janeva...

Avokatët e ish prokurores speciale, Katica Janeva, kanë vazhduar shqyrtimin e dëshmive të cilat i posedon Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.

Në mesin e dëshmive janë deklarimet e dëshmitarëve, por edhe incizimet në mediat italiane ku dëgjohej edhe zëri i Janevës. Avokatët e Janevës s’kanë pasur qasje në dëshminë e të dyshuarit të dytë në rastin “Zhvatja”, Zoran Milevski.

Nga Prokuroria thonë se deklarimet e dëshmitarëve nuk janë pjesë e dëshmive, andaj edhe nuk iu janë prezantuar avokatëve mbrojtës. Avokatët mbrojtës do të kenë mundësi që brenda 15 ditëve të shohin të gjitha dëshmitë dhe më pas të mbrojnë të akuzuarit.

Ndërkaq, prokurori i autorizuar në afat prej 30 ditëve do të duhet të sjellë vendim. Janeva kërkon heqjen e paraburgimit tanimë edhe për 30 ditë tjera, pasi janë ofruar si garanci banesat e fëmijëve dhe mbyllja e hetimit.

Nga Gjykata e Apelit për kërkesën e Janevës për mbrojtje në liri do të vendosin pasi të marrin opinionin nga Prokuroria e lartë. (Meral Ismaili, TVM2)