Zaev në Asamblesë Parlamentare të OKB-së: Presim anëtarësim në NATO dhe BE

27.09.2019 18:11

Maqedonia e Veriut pret të bëhet anëtarja e 30 e NATO-s....

Maqedonia e Veriut pret të bëhet anëtarja e 30 e NATO-s dhe të marrë datën për fillimin e negociatave qasëse me BE-në gjatë këtij viti.

Gjatë fjalimit të tij para Asamblesë Parlamentare të Kombeve të Bashkuara, kryeministri, Zoran Zaev, tha se zgjidhja e kontesteve dypalëshe me fqinjët dhe zbatimi i reformave janë argumente të fuqishme për zhbllokimin e këtij procesi dhe arritjen e synimit të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Kompromisi hapi portat për vendin dhe popullin tim që të arrijë qëllimin e shumëpritur për anëtarësim në BE dhe në NATO. Sa i takon çështjes së NATO-s, presim që së shpejti të bëhemi anëtarja e 30 në një të ardhme shumë të afërt. Jam i bindur se reformat thelbësore që kemi bërë në shtëpi dhe zgjidhja e kontesteve me fqinjët tanë janë argumente të fuqishme për të hapur negociatat me BE-në”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Falënderoj OKB-në për zgjidhjen e arrirë me Greqinë

Zaev falënderoi OKB-në dhe ndërmjetësuesin e posaçëm, Metju Nimic, për rolin thelbësor në arritjen e zgjidhjes së kompromisit me Greqinë. Një zgjidhje që, sipas tij, duhet t’i shërbejë rajonit dhe botës për tejkalimin e kontesteve shumëvjeçare.

“Nuk patëm sukses të garantuar. E bëmë të mundur së bashku me kolegët tanë të dashur grekë. Është një arritje shekullore e cila mund të shërbejë si katalizator për proceset transformuese në Ballkan. Ajo mund të shërbejë si shembull për tejkalimin e kontesteve të vështira në mbarë botën”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Zaev iu referua edhe krizës së migracionit, nga e cila është e prekur edhe Maqedonia e Veriut, kryesisht si vend transit. Ai tha se vendi është i hapur për bashkëpunim me OKB-në dhe organizatat e tjera rajonale për t’u përballur me të dhe për ta shndërruar në mundësi. (Shpëtim Nuredini, TVM2)