Bundestagu për çeljen e negociatave lexohet në mënyra të ndryshme nga politika

27.09.2019 18:50

Vendimi i Bundestagut gjerman për çeljen me kushte të negociatave të Shqipërisë me BE....

Vendimi i Bundestagut gjerman për çeljen me kushte të negociatave të Shqipërisë me BE, është lexuar në mënyra të ndryshme nga politika.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, është treguar kritik në reagimin e tij, duke thënë se vendimi ishte mesazh se duhet punuar urgjent për zgjidhjen e krizës së rëndë politike në Shqipëri.

Në rrjetet sociale Meta shkruan: “Nëse do të ishin dëgjuar këshillat e deputetëve të Bundestagut në kohë, Shqipëria do të kishte marrë një vendim pa kushte ashtu si Maqedonia e Veriut”.

Por, nënkryetari i Partisë Socialiste, Taulant Balla, thotë se kërkesat e Gjermanisë nuk ishin kushte, por detyrat e shtëpisë që duhen plotësuar.

Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim e cilëson dështim për qeverinë Rama vendimin e Bundestagut gjerman, i cili  shtoi edhe 4 kushte të tjera.

Nga ana tjetër, kryeministri, Edi Rama, dhe kreu i opozitës, nuk kanë reaguar ende lidhur me këtë vendim. (Luljeta Ndoka, TVM2)