Trump, kundërshton deklaratat e presidentit të Iranit
Presidenti amerikan, Donald Trump....

Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se ka kundërshtuar një kërkesë të Teheranit për të hequr sanksionet në këmbim të bisedimeve.
Deklarata e presidentit amerikan kundërshton komentet e presidentit iranian, Hassan Rohani, i cili u citua të thoshte se Shtetet e Bashkuara ofruan të heqin të gjitha sanksionet ndaj Iranit në këmbim të bisedimeve.
Rohani, tha se gjatë qëndrimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka takuar zyrtarë amerikanë me insistimin e Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Francës.
Irani është i gatshëm për negociata, por jo në një atmosferë sanksionesh dhe presionesh, tha presidenti iranian. Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Teheranit janë përkeqësuar qëkur presidenti amerikan, Donald Trump, u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin vitin e kaluar, dhe sërish vendosi sanksione mbi ekonominë iraniane, për shkak të programit bërthamor dhe balistik të këtij vendi.
Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 që përfshin gjithashtu Britaninë, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe Kinën si nënshkruese, kishte për qëllim të frenonte programin bërthamor të Iranit ndërsa hiqte sanksionet ndaj këtij vendi.
