Maqedoni

Përfundon shqyrtimi i dëshmive, mbrojtja pret lejen e Janevës për të vepruar. Xholev: Rasti “Zhvatja” prioritet, por vendos PNKOK

30.09.2019 17:26

Avokatët mbrojtës të kryeprokurores speciale të shkarkuar, Katica Janeva, vazhduan me shqyrtimin e dëshmive për rastin "Zhvatja"...

Avokatët mbrojtës të kryeprokurores speciale të shkarkuar, Katica Janeva, vazhduan me shqyrtimin e dëshmive për rastin "Zhvatja" në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.
 
Ata shqyrtuan edhe dëshmitë nga masat e veçanta, përfshirë ato edhe për të dyshuarit, Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski.
 
Mbrojtja thekson se Prokuroria në kohë duhet tua tregojë të gjitha dëshmitë që posedon, përfshirë edhe ekspertizën që akoma nuk ka përfunduar me qëllim të jenë me efikas. Procesverbalet nga dëshmitë e dy të dyshuarve të parë akoma nuk u janë dorëzuar.
 
“Për Janevën më duket se është ndjekur për dhjetë ditë, ndërsa për Bojan Jovanovskin dhe Zoran Milevskin janë ndjekur për rreth 1 muaj, vetëm ndjekje fizike asgjë më shumë. Në këtë fazë të procedurës nuk mund t’i komentojmë dëshmitë”,- tha avokatja mbrojtëse, Irena Frçkovska.
 
Mbrojtja nuk theksoi se kur Janeva do të japë dëshminë e saj në prokurori, ndërsa potencoi se do të veprojnë në bazë të udhëzimeve të Janevës.
 
“Ne duhet të shihemi me Janevën dhe duam që atë ta bëjmë ditëve në vazhdim, me siguri do të jetë pasnesër, do ta njoftojmë me të gjithë ato që ne i pamë, ndërsa ajo nuk pati mundësi t’i shohë dhe normal koncepti dhe mënyra e mbrojtjes do të diktohet personalisht nga ajo”,- u shpreh avokati mbrojtës, Delo Kadiev.
 
Kryetari i Gjykatës Penale, Ivan Xholev, i pyetur se me çfarë dinamike pret që të zhvillohet gjykimi për rastin "Zhvatja", tha se një gjë e tillë nuk varet vetëm prej gjykatës.
 
“Fjalën kryesore për dinamikën dhe ngritjen e aktakuzës në këtë moment e ka prokuroria. Mandej ne si gjykatë gjithsesi se do t’i japim prioritet lëndës, sikurse edhe të tjerave. Për shkak të interesit të opinionit do të qëndrojmë në atë të ketë prioritet dhe seancat gjyqësore të jenë më të shpeshta”,- theksoi kryetari i Gjykatës Penale, Ivan Xholev.
 
Janeva pret edhe vendim të gjykatës për paraburgimin. Apeli pret mendim nga Prokuroria e Lartë, pasi që avokatët mbrojtës u ankuan në vendimin e Gjykatës Penale që t’i vazhdojë paraburgimin.
 
Pas mbarimit të hetimit, mbrojtja vlerëson se masa e paraburgimit duhet të zëvendësohet me masë alternative më të lehtë.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU