Maqedoni
Rebalanci i buxhetit, përplasje për amendamentet e opozitës
30.09.2019 17:43
Amendamentet e opozitës që kryesisht kishin të bëjnë me ndërtimin e infrastrukturës...

Amendamentet e opozitës që kryesisht kishin të bëjnë me ndërtimin e infrastrukturës, edhe në ditën e tretë të shqyrtimit të amendamenteve nuk u pranuan nga ana e pushtetit.
Opozita kritikoi pushtetin se shumë pak investon në objekte kapitale dhe pak mendohet për nevojat e vërteta të qytetarëve.
“Si thoshit: nuk mundemi të premtojmë asgjë për vitin 2017, për realizimin e buxhetit, sepse është buxhet i juaji. Atë që ju ua keni premtuar qytetarëve nuk duhet ne t’ua plotësojmë. Në rregull, nuk doni t’i plotësoni kërkesat e qytetarëve, realizoni premtimet e juaja. Ja, ne ju dalim në ndihmë me amendamente konkrete”,- tha Liljana Zaturovska nga VMRO-DPMNE.
Por, nga pushteti u kundërpërgjigjën, duke thënë se opozita po vepron me populizëm dhe nuk po i merr parasysh performancat e buxhetit, të cilat janë në dobi të qytetarëve.
“Në vitin 2016, ju kujtohet sa propozim amendamente kishte opozita apo LSDM, kishte 1 mijë propozim amendamente. Tani ju keni rreth 400 propozim amendamente. Kjo do të thotë se 60% nga ajo që kemi premtuar, nga vitit 2017 e këtej, e kemi realizuar”,- u shpreh Zhaklina Llazarevska nga LSDM.
Edhe amendamenti i propozuar nga ana e VMRO-DPMNE-së për ndërtimin e një bulevardi në zonën industriale të Vizbegut, nuk kaloi.
Paraprakisht, ky amendament nuk u pranua nga ana e zëvendësministres së financave, por pastaj deputeti i BDI-së, Ejup Halimi, kërkoi që ky amendament të shqyrtohet dhe të hidhet në votim si amendament i përbashkët i Komisionit.
Por, edhe përskaj kësaj, nuk i kishte votat e duhura për të kaluar. VMRO-DPMNE gjithashtu kritikoi mospjesëmarrjen e ministres së financave, Nina Angellovska, në Komision, duke thënë se është koha që ministrja Angellovska ta marrë me seriozitet pozicionin që ka.
ERSAN PAJAZITI
