Maqedoni

“Të rri, apo të iki?!” - Të rinjtë shpalosin shqetësimet para deputetëve

30.09.2019 18:05

Përjashtimi nga vendimmarrja politike, papunësia, korrupsioni, gjuha e urrejtjes dhe pasiguria shëndetësore...

Përjashtimi nga vendimmarrja politike, papunësia, korrupsioni, gjuha e urrejtjes dhe pasiguria shëndetësore janë disa nga arsyet që i detyrojnë gjeneratat e reja të vendeve të Evropës Juglindore ta mendojnë nëse duhet të qëndrojnë në vendet e tyre ose duhet t’u drejtohen vendeve të BE-së.
 
Shqetësimet e të rinjve të rajonit u diskutuan në Këshillin Nacional për Eurointegrime, në një debat publik me temë: “Vlerat evropiane për ardhmërinë e Evropës Juglindore – politikat rinore dhe bashkëpunimi”.   
 
“Ne të rinjtë jemi skeleti dhe muskujt e popujve dhe ne mund të kemi rol udhëheqës në vendet tona, por a kemi mundësi të mjaftueshme që të shkëlqejmë?! Përgjigjja, për fat të keq, është: Jo! Ka mungesë mundësish, institucionesh, për përgatitje profesionale dhe mungesë vetëdijeje te të rinjtë, të cilët janë të papunë dhe nuk mund të marrin pjesë në zhvillimin e vendeve të tyre. Dhe më e keqja, kemi qeveri, por jo edhe politika të duhura se si të zgjidhen këto probleme”,- tha përfaqësuesja nga Mali i Zi, Milica Dediç.
 
Disbalanci mes nevojave të tregut të punës dhe prodhimit të kuadrove të kualifikuar është një problem tjetër që ndikon në migrimin e trurit.
 
Florenci nga Shqipëria ndan përvojën personale dhe të miqve të tij. 
 
“Kur isha pesë vjeç, familja ime e braktisi Shqipërinë, pasi prindërit e mi punonin jashtë vendi, në Greqi. Kur kisha 25 vjet, bashkë me miqtë e mi braktisa Greqinë dhe ikëm që të punojmë në perëndim. Shumë prej tyre ishim të shkolluar, kishte avokatë, por në Greqi kishte shumë avokatë. Por, ne nuk e dënim këtë gjë kur ishim në shkollë të mesme. Disa prej tyre mbaruan mjekësi, por në Greqi kishte shumë mjek. As këtë nuk e dënim kur mbaruam shkollë të mesme. Ndërkaq, në shumë fusha ende nuk mund të gjejmë mjaftueshëm punëtorë”,- tha përfaqësuesi nga Greqia, Florenc Ceali.
 
Debati publik u mbajt me kërkesë të Lidhjes Rinore të Krushevës, ndërsa në të merrnin pjesë edhe anëtarë të më shumë komisioneve parlamentare që trajtojnë çështje me interes për të rinjtë.     
 
SHPËTIM NUREDINI