Nga 1 tetori nuk do të ketë më kuota për barna, barna do të ketë çdo ditë deri në fund të muajit
Nga 1 tetori kuotat përfundimisht largohen nga barnatoret....

Nga 1 tetori kuotat përfundimisht largohen nga barnatoret dhe qytetarët do të mund të furnizohen vetëm me recetë dhe me dokumentin e identifikimit.
Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Orhan Ramadani, dhe ministri i shëndetësisë theksuan se heqja e kuotave të barnave paraqet një përfitim të shumëfishtë për qytetarët, mjekët, farmacistët dhe punonjësit mjekësorë.
“Qytetarët nga sot e tutje mund të marrin barnat në cilëndo barnatore që kanë marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë, për çdo ditë dhe për çdo kohë, pavarësisht nëse është fillimi apo fundi i muajit. Pacientët nuk do të kenë më nevojë të grumbullojnë sasi të mëdha barnash dhe më pas t’i mbajnë ato stock në shtëpi, pasi mund t’i marrin ato në barnatore në çdo moment”,- tha drejtori i FSSH-së, Orhan Ramadani.
“Ky është një vazhdim i pilot projektit që kemi filluar në pesë qytete turistike, Ohër, Strugë, Gjevgjeli, Resen dhe Dojran. Ajo dëshmoi se ishte e mirë pasi banorët dhe turistët kishin qasje në ilaçe. Tani nuk do të ketë turma dhe padurim si në ambulant ashtu edhe në barnatore. Tani nuk do të kenë frikë se do të ngelen pa barna qytetarët”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Barnat për pacientët me sëmundje kronike, për fëmijë, si dhe për personat që nuk do të jenë në gjendje personalisht të shkojnë në barnatore, do të mund t’i marrë person tjetër në emër të pacientit, por në barnatore do të identifikohet me dokumentin personal.
Pas muajit tetor do të vijojnë faza të tjera për implementimin e shëndetësisë elektronike, respektivisht për heqjen e recetave në formë letre dhe implementimin e recetave elektronike. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)
