Xhaferi: Mosdakordimi politik bllokon institucionet
Kreu i parlamentit fajëson partitë se për politika ditore po bllokojnë institucionet...

Kreu i parlamentit fajëson partitë se për politika ditore po bllokojnë institucionet. Kritika e ashpër vjen pas bllokimit të punës në Komisionin për zgjedhje dhe emërime, që ka lënë pa drejtor Entin Shtetëror të Revizionit dhe pa këshilla drejtues e programorë Radiotelevizioni publik dhe Agjencinë për shërbime mediatike audio dhe audio-vizuele.
“Komisionet më tepër udhëhiqen nga qëndrimet politike apo partiake të pjesëtarëve të Komisionit dhe për qëllime politike dhe partiake jo rrallë ngadalësojnë punën e komisioneve, me çka ndikojnë edhe në punën e seancave plenare. Numri i konsiderueshëm i institucioneve kanë ngelur pa udhëheqësi për shkak të dallimeve të cilat i kanë subjektet politike për përzgjedhjet e mundshme që janë para komisioneve përkatëse. Gati dy vite vendi nuk ka revizor shtetëror, më tepër se 6 muaj nuk ka udhëheqës të disa institucioneve tjera”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Koordinatorët e grupeve parlamentare në Kuvend thonë se akoma nuk janë marrë vesh për vazhdimin e punës së Komisionit dhe emërimin e udhëheqësve të institucioneve.
Lidhur më kërkesën e deputetëve të pavarur të VMRO-DPMNE-së për përfshirjen e tyre në trupa punues, Xhaferi sqaron se ndarjen e trupave punues e garanton rregullorja, por edhe këtu gjithsesi që duhet harmonizim qëndrimesh. (Fitim Kryeziu, TVM2)
