Komiteti i Helsinkit për gjendjen e burgjeve, Amet: Shëndetësia dhe risocializimi mbeten problem

30.09.2019 18:36

Problemet kryesore nëpër burgjet e vendit...

Problemet kryesore nëpër burgjet e vendit kryesisht mbeten të njëjta ndonëse vërehet më shumë transparencë në organet drejtuese, vlerëson Komiteti i Helsinkit. Sipas raportit të tyre, numri më i madh i vërejtjeve ka të bëjë me mangësitë në procesin e arsimit, shërbimet mjekësore, risocializimin dhe kushtet materiale.

“Në më shumë burgje hasëm situatë ku nuk ka mjaftueshëm ilaçe dhe një pjesë e burgjeve nuk kanë mjek të përhershëm, i cili do të kujdesej për personat që ndodhen aty. Në lidhje me arsimin, akoma nuk ka asnjë lloj sistemi arsimorë në institucionet ndëshkuese –përmirësuese. Një numër i madh i të burgosurve edhe pse nuk kanë një risocializim të përshtatshëm nëpër burgje, ata janë lënë vetëm edhe kur dalin jashtë”,- tha koordinatorja e projektit, Sibel Amet.

Pirovska: Nevojiten fonde shtesë për burgjet

Progres është shënuar në uljen e mbipopullimit nëpër burgje edhe atë për shkak të Ligjit të amnistisë dhe pavijonit të ri tha Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit. Por, nevojiten fonde shtesë për ta përmirësuar gjendjen, tha ajo.

“Buxheti i vitit të kaluar për institucionet ndëshkuese është ulur për 60%, kështu familjarët e tyre janë të detyruar që dy tre herë në javë t’i furnizojnë me ushqim. Ata më pas janë të detyruar ta ruajnë ushqimin nëpër qeli, që ndikon në higjienë. Patjetër të ndahen më shumë fonde për këta banorë. Nuk mund në vazhdimësi të themi se nëpër burgje ka vetëm një mjek. Për t’i realizuar të drejtat e tyre nevojitet që të gjitha institucionet gjegjëse t’i respektojnë obligimet e tyre, krahas kësaj të ndahen fonde më shumë”,- theksoi Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit. 

Hulumtimi i Komitetit të Helsinkit është mbështetur nga Ambasada e ShBA-ve, ndërsa raporti përfshin 10 nga gjithsej 11 burgje të vendit në periudhën nga shkurti deri në shtator të këtij viti. (Naim Ramadani, TVM2)