Maqedoni
SASHK-u i jep ultimatum MASH-it: 7 ditë për rritjen e pagave, ose grevë. Ademi: Jemi në një vijë, s’ka arsye për grevë
30.09.2019 18:50
Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës do t’i japë afat 7 ditor Ministrisë së Arsimit për të vendosur rreth kërkesës së Sindikatës...

Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës do t’i japë afat 7 ditor Ministrisë së Arsimit për të vendosur rreth kërkesës së Sindikatës për rritjen e pagave në këtë sektor për 25 për qind, në të kundërtën paralajmërojnë grevë në shkollat e mesme dhe fillore.
Kryetari i SASHKU-t, Jakim Nedellkov, thotë se vetë Ministria ka kërkuar afat kohor që të shqyrton kërkesën dhe të bëjë llogaritë dhe konsultimet me institucionet e tjera në vend.
Ministri Ademi tha se janë në anën e njëjtë me SASHK-un, me qëllim që të përmirësohet statusi shoqëror dhe material i të gjithë të punësuarve në arsim dhe nuk sheh arsye për fillim të grevës nga ana e SASHK-ut.
“Sot kemi takim me përfaqësuesit e SASHKU-t, ku do të bisedojmë për temat ku për javë me radhë i kemi në tavolinën e bisedimeve, kështu që aty do të vazhdojnë negociatat në mënyrë më të mirë të mundshme, në përputhje me mundësitë që i kemi si institucione. Takimi do të jetë i mbyllur pasi që do t’i shqyrtojmë të gjitha parametrat që kanë të bëjnë me rritjen e pagave”,- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.
Për momentin greva është e panevojshme, pasi që ka konstruktivitet dhe se greva organizohet kur nuk ka zgjidhje, ne zgjidhjen po e ofrojmë dhe bashkërisht duhet ta marrim vendimin, thotë ministri Ademi.
GAZMEND REXHEPI
