SHBA, sanksione të reja ndaj subjekteve ruse

01.10.2019 15:24

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione te reja mbi subjektet ruse, edhe këto te lidhura me ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet amerikane...

Masat prekin disa persona te lidhur me Agjencinë ruse të Kërkimit në Internet dhe financierin e saj, Yevgeny Prigozhin.

“Departamenti i Thesarit po shton trysninë ndaj Prigozhin, jo vetëm duke vënë dukje mbështetjen e tij për Agjencinë e Kërkimit në Internet lidhur me përpjekjet e saj për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të mesit të mandatit të 2018-s, por edhe duke identifikuar pronën e tij personale, duke përfshirë disa avionë privatë dhe një jaht,” tha Departamenti i Thesarit.

Agjencia ne fjalë, me qendër në Shën Peterburg, njihet si “ferma ruse e manipuluesve të klikimeve” , ndërsa është përmendur edhe nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller në hetimin për ndërhyrjet e supozuara ruse në presidencialet e 2016-s.

Prigozhin, i mbiquajtur si “kuzhinieri i Putinit”, për shkak të biznesit të tij të hotelerisë, kontrollon gjithashtu firmën private të sigurisë Vagner, e cila ka dërguar mercenarë rusë për të luftuar në Ukrainë, Siri dhe në disa vende afrikane.