Rebalanci i buxhetit, përplasje mes pushtetit dhe opozitës
Mospjesëmarrja e ministres së financave, Nina Angellovska....

Mospjesëmarrja e ministres së financave, Nina Angellovska, në Komisionin për financa dhe buxhet ka shkaktuar përplasje mes pushtetit dhe opozitës në Kuvend. Nga VMRO-DPMNE thonë se ministrja me mosprezencën e saj në komision, ku po shqyrtohet propozim-amendamentet për rebalancin e buxhetit, tregon se nuk është e interesuar për të dëgjuar problemet e vërteta të qytetarëve.
“Kjo veç më nuk është as joserioze, kjo tashmë është nënçmuese për Kuvendin, për Komisionin për financa dhe buxhet, për deputetët. E kuptuam që neve nuk na respekton, t’i dëgjoj amendamentet të cilat i parashtrojmë, por nuk respekton as deputetët e shumicës parlamentare dhe mendoj se tashmë ato duhet të reagojnë. Ka nëntë ditë debat rreth rebalancit të buxhetit 7 ditë e gjysmë ministrja nuk është këtu”,- tha Nikolla Micevski nga VMRO–DPMNE.
Nga LSDM u kundërpërgjigjën, duke thënë se qëndrimet e ministres së financave i mbron zëvendësministrja që është në përputhje me rregulloren e Kuvendit.
“Në bazë të rregullores asgjë nuk po shkelet. Nëse ministri nuk mund të jetë prezent në seancën e komisionit, me plot të drejtë e zëvendëson në këtë rast zëvendësministrja. Nuk është e saktë ajo që thoni se asnjëherë nuk ka qenë këtu dhe kjo nuk ndodh për herë të parë në këtë Kuvend, por ka ndodhur disa herë. Në ditën e parë të debatit ishte, gjithashtu dje ishte këtu. Pastaj ajo ka qenë në udhëtim zyrtar në ShBA që me plotë të drejtë e arsyeton mospjesëmarrjen e saj”,- tha Dime Vellkovski nga LSDM.
Gjatë parashtrimit të propozim-amendamenteve, opozita vazhdoi të kritikojë këtë propozim rebalanc të buxhetit, duke thënë se kjo qeveri nuk di të menaxhojë me financat e shtetit. Por, deputetët e shumicës parlamentare u kundërpërgjigjën, duke thënë se rebalanci i buxhetit është në dobi të qytetarëve. (Ersan Pajaziti, TVM2)
