Maqedoni
Buzaku me ultimatum: Rexhepi të lëshojë BFI-në brenda 72 orësh
01.10.2019 16:04
Skender Buzaku, i cili pretendon të marrë postin e kreut të BFI-së...

Skender Buzaku, i cili pretendon të marrë postin e kreut të BFI-së, ka dalë me ultimatum ndaj kreut aktual të BFI-së, Sulejman Rexhepit, që brenda 72 orësh të largohet nga ky pozicion, ose ai do të fillojë me publikimin e dëshmive dhe fakteve të rënda kriminale të cilat Buzaku pretendon se janë kryer nga kreu Rexhepi. Buzaku pohoi se veprat e tilla janë të dërguara në prokurori, ndërsa nuk e kishte të qartë se pse forcat policore ishin të pranishme para dyerve të BFI-së.
“Sulejman Rexhepit i japim afat 72 orë të lëshojë Bashkësinë Fetare Islame të cilën e ka uzurpuar, siç ka dhënë dorëheqje, tani le ta lëshojë BFI-në. Nëse vazhdon ta keqpërdor pas këtij afati, ne do të publikojmë vepra të rënda penale të kryera nga Sulejman Rexhepi. Në prokurori janë dorëzuar edhe këto, por edhe vepra të tjera të cilat i ka kryer që nga viti 2015 dhe këto vepra ende nuk janë proceduara dhe nuk kemi ende vendim nga Prokuroria. Prania e Policisë nuk e kam të qartë pse është këtu e pranishme, por mund të them vetëm një gjë se Sulejman Rexhepit në të kaluarën është mësuar që vendin dhe pozitën dhe BFI-në ta mbajë vetëm me grupe kriminele”,- tha Skender Buzaku.
Rexhepi: Nuk vlen të komentohen deklaratat e tij
Por, akuzat e Buzakut nuk e kanë shqetësuar fare kreun aktual të BFI-së, i cili ka vendosur që as mos t’i komentojë akuzat e tij. Sipas Sulejman Rexhepit, për Buzakun nuk vlen të bisedohet.
“Atë e foli vetëm në nevojtore, këtu jo”,- u shpreh Sulejman Rexhepi.
Njëherit, Buzaku ftoi edhe hoxhallarët, profesorët, teologët, por edhe strukturat e larguara më herët nga BFI që të bashkohen rreth nismës së tij për shkarkimin e kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi.
FITIM KRYEIZU
