Maqedoni
Anti-korrupsioni, Ivanovska: Kemi punuar, por na mungojnë kushtet
01.10.2019 16:46
Kryetarja e Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska, shprehet e kënaqur me punën...

Kryetarja e Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska, shprehet e kënaqur me punën që ka bërë institucioni që drejton ajo deri më tani, por përsëri numëroi problemet e njëjta: mungesën e kushteve për punë, hapësira joadekuate dhe se akoma janë në pritje që të lidhen me 17 institucione shtetërore për qasje më të shpejtë deri te informatat.
"Çdoherë do t'i përmend kushtet sepse ato nuk kanë ndryshuar fare në periudhën shtatëmujore. Unë mendoj se të gjithë duhet të jemi të kënaqur, kemi mësuar se si të organizohemi më mirë dhe të veprojmë në kushte të tilla të këqija. Çdo fillim ka turbullirat e veta më të mëdha ose më të vogla, unë mendoj se ne qëllimin kryesor që e kemi përcaktuar jemi në rrugë për ta realizuar",- tha kryetarja e Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska.
Transparencë-Maqedoni: Në mungesë të kushteve, të punohet me prioritet
Rezultatet e punës së Antikorrupsionit vërehen disa muaj më vonë, prandaj me këto kushte që kanë do të ishte më mirë të zgjidhen rastet me prioritet, thonë nga Transparencë-Maqedoni, që ka monitoruar punën e Komisionit për parandalimin e korrupsionit.
"Antikorrupsioni vepron në mënyrë joselektive në lidhje me paraqitjet që merr, por nga njëra anë, shtrohet pyetja se cili është efekti për të gjitha aplikimet që ato hapin si procedura, sepse efekti shihet vetëm pas disa muajsh. Nga njëra anë shpenzohet kohë, personel dhe kapacitet që ata nuk e disponojnë aktualisht për disa raporte apo raste që nuk e dëmtojnë buxhetin aq në masë. Prandaj ndoshta është më mirë që të zbatohet metodologji pune me të cilën do të zgjidhen rastet me prioritet",- u shpreh Liljana Pecova Ilieska nga Transparencë-Maqedoni.
Për shtatë muaj, deri te Antikorrupsioni kanë arritur 785 ankesa për dyshime për konflikt të interesit, ndërsa 169 raste prej tyre janë zgjidhur deri më tani.
NAIM RAMADANI
