Ligji për PP, Deskoska: S'kemi përafrim të qëndrimeve

01.10.2019 17:27

Edhe pse kanë mbetur edhe 15 ditë deri në Samitin e Këshillit Evropian....

Edhe pse kanë mbetur edhe 15 ditë deri në Samitin e Këshillit Evropian, ku vendi pret datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, nuk ka lëvizje në pozicionet e pushtetit dhe opozitës sa i përket Ligjit për Prokurorinë Publike. Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, theksoi se konsultime joformale ekzistojnë, megjithatë nuk është caktuar takim liderësh.

Sipas saj, një kompromis që do të thotë shkelje e standardeve dhe principeve evropiane dhe arritjen e kompromisit për një ligj më të keq se ai që e kemi, nuk është diçka që do të jetë i pranueshëm nga BE.

Ne dëshirojmë sjelljen e Ligjit, por miratimi i të njëjtit kërkon 80 vota që ne nuk i kemi, tha Deskoska.

“Edhe në suaza të Qeverisë, por edhe të atyre ndërkombëtarë, kur flasim për standardet që duhet t’i implementojmë, i qartë është udhëzimi se ligj pa standarde nuk ka. Është keq që VMRO mundohet mua të më fajësojë për mossjelljen e ligjit. Ne në shumë raste pamë që ata janë kreatorë të lajmeve të rrejshme, kështu që edhe në këtë rast fajin duhet ta kërkojnë tek ata dhe në qëndrimet që i përfaqësojnë, të cilat janë larg vendosjes së sundimit të së drejtës, qëndrime larg ndjekjes së krimit dhe larg standardeve evropiane për Ligjin për Prokurori Publike”,- tha ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska.         

Milloshevski: Komisioni i Venecias të shqyrtojë ligjin

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshevski, akuzon Ministrinë e Drejtësisë për mosarritjen e kompromisit, si menaxhere e këtij procesi. Ai sërish propozoi që Ligji të dërgohet në shqyrtim në Komisionin e Venecias, për t’i marrë përgjigjet adekuate se çfarë nënkupton standarde evropiane.

“Ishte muaji shkurt kur ministres i propozuam me qëllim të shohim se cilat standarde janë më të mira dhe më të këqija, propozim tekstin e Ligjit ta dërgojmë në Komisionin e Venecias dhe të kërkojmë mendim për atë se çfarë do të thotë ligj cilësor për prokurori publike me standarde evropiane. Dhe kur të marrin rekomandim nga një trup i tillë ekspert nuk do të kishim nevojë të dëshmojmë se kush ka të drejtë. Ministrja atëherë tha se nuk ka kohë”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Anatonio Milloshevski.

Sipas Milloshevskit, takimet e liderëve do të ishin të arsyeshme nëse grupet e punës arrijnë më afër ndonjë teksti të pajtueshëm që të mund të dakordohet diçka në nivele më të larta. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)