Botë

VV:Asnjë subjekt politik nuk mund të kushtëzojë marrëveshjen

16.09.2014 11:49

Pas reagimit të “Listës Srpska” që negociatat të mos udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, kjo e fundit ka thënë se lista nuk ka fuqi politike që ta kushtëzojë bllokun...

 Sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, i ka thënë “Radio Kosovës” se koalicioni LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje e ka shumicën shqiptare në Kuvend dhe “Lista Srpska” nuk mund të ndikoj në prishjen e marrëveshjes të arritur ditë më parë.
 
“Lista Srpska” e ka të garantuar me kushtetutë pjesëmarrjen në qeveri dhe atë të drejtë mund ta shfrytëzojë, por assesi nuk e ka as fuqinë politike e as mundësinë reale që ta kushtëzojë këtë marrëveshje të nënshkruar dhe parimet që tashmë janë etabluar edhe në opinionin publik”.
 
Molliqaj, gjithashtu i ka thënë “Radio Kosovës” se tashmë ekziston një marrëveshje e nënshkruar në mes të katër subjekteve politike, që është marrëveshje e parimeve dhe në të cilën janë të rregulluar shumë çështje.
 
Prandaj, siç thotë ai, nuk ka asnjë arsye që LDK, AAK dhe Nisma të ndërrojnë qëndrimin e tyre politik, për shkak se nënshkrimi i marrëveshjes ka qenë i paramenduar, i planifikuar dhe i diskutuar gjerë e gjatë nëpër forumet të secilit subjekt.
 
Ndryshe, “Lista Srpska” vetëm 24 orë para mbajtjes së seancës, javën e kaluar, kishte kërkuar shtyrjen e saj në mënyrë që të sqarohet situata pas marrëveshjes së bllokut me Vetëvendosjen. 
 
Ndërkohë, përfaqësuesi i “Listës Srpska”, Aleksandër Jabllanoviq, i ka thënë “Radio Kosovës” se pozicionet e listës do të dihen më së largu të mërkurën pasdite.