Filloi viti i ri akademik, universitetet hapën dyert për studentët

01.10.2019 18:17

Universitetet filluan vitin e ri akademik 2019/2020....

Universitetet  filluan vitin e ri akademik 2019/2020. Na duhen dije të forta e jo vetëm diploma, u porositi ministri Ademi qytetarëve të rinj akademikë.

“Nuk na duhen vetëm diploma që do të përfaqësojnë një letër të zbrazur, po na duhen shkathtësi e aftësi pas asaj letre që jepet nga institucionet e arsimit të lartë”,- tha ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi.

Universitetit të Tetovës sivjet iu shtuan rreth 3 mijë studentë të rinj në 60 programet studimore të 13 njësive akademike. UT premton cilësi për studentët e tij.

“Arsimimi i mirëfilltë dhe kërkimi shkencor janë objektivat kryesore që synon t’i plotësojë çdo universitet serioz dhe UT në këtë aspekt e ka dëshmuar veten se ka kapacitetet e duhura për të arsimuar breza të tërë studentësh të përgatitur e të gatshëm për të kontribuar në të gjitha fushat”,- tha rektori i UT-së, Vullnet Ahmeti.

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup momentalisht mban ligjëratat në auditore alternative, në klasat e Shkollës Fillore “Kongresi i Manastirit” në pritje të mbajtjes së premtimeve për ndërtimin e kampusit universitar.

“Dinamika e dëshirave dhe ëndrrave të studentëve nuk duron vonesa të tilla që janë në kundërshtim me natyrën e ëndrrave të rinisë. Prandaj ne duhet të përshpejtojmë nëse punët kanë ngecur që të kthejmë besimin e studentëve te universiteti dhe te institucionet, sepse vonesat janë arsye e humbjes së durimit dhe ata ikin edhe jashtë”,- theksoi rektori i UNT-së, Azis Pollozhani.

Ministri Ademi premtoi zgjidhjen e shpejtë të këtij problemi.

“Së shpejti duhet t’i përfundojmë edhe disa procedura administrative që do të na debllokojnë në rrugën tonë për realizimin e këtij synimi”,- tha ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi.

Dyer për studentët i hapi edhe Universiteti i Europës Juglindore. Rektori Bexheti tha se EUJL është institucioni i vetëm i tillë tërësish i digjitalizuar, duke lehtësuar procedurat për studentët e kohëve moderne.

“Unë di se sot ju jeni gjeneratë që gjithnjë e më pak dëshironi të lexoni, por qoftë edhe elektronikisht, ndiqni dhe realizoni të drejtat tuaja. Në këtë aspekt ju do të jeni të servisuar në mënyrë dinjitoze me platformat elektronike”,- u shpreh rektori i UEJL-së, Abdylmenaf Bexheti.

Ceremoni solemne për pranimin e studentëve të rinj zhvilloi edhe Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup. Edhe ky fakultet është drejtuar ndaj teknologjisë pa harruar kryesoren e shpirtëroren.

“Ju jeni fëmijë të një kohe tjetër, asaj teknologjike, por dini se njëkohësisht jeni vijim i kohës së përhershme nga e cila të gjithë kemi nevojë të marrim disa gjëra që shkolla nuk i ka në kutikulat e saj”,- theksoi dekani i fakultetit të shkencave islame, Shaban Sulejmani.

MASh ka dyfishuar sivjet mjetet për këtë fakultet dhe po punon, ndërkohë që edhe diplomat e Medresesë “Isa Beu” të njihet gjatë regjistrimit në universitete. Pritet vetëm krijimi i grupeve të punës nga MASh dhe BFI.

“Do të shqyrtojmë dispozitat ligjore të pro ligjit të përgatitur nga ne për të draftuar në mënyrën më të mirë këtë pr/ligj që të përmbushë kërkesat e BFI-së dhe gjithë komunitetit mysliman”,- tha ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi.

Mbetet sfidë e universiteteve të pajisen me dituritë e nevojshme për tregun e punës studentët e tyre, sepse sfida e ndërmarrjeve për kuadër të kualifikuar vazhdon të mbetet realitet edhe përkundër numrit të madh të studentëve të diplomuar. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)