Maqedoni

Shtyhet afati për privatizim të tokës ndërtimore

16.09.2014 11:59

Afati për dorëzim të kërkesave për privatizim të tokës ndërtimore shtetërore në vend, që ishte deri më 13 nëntor...

Afati për dorëzim të kërkesave për privatizim të tokës ndërtimore shtetërore në vend, që ishte deri më 13 nëntor, do të vazhdohet deri më 15 dhjetor të këtij viti. Këtë e parashikojnë ndryshimet e Ligjit për Privatizim dhe Dhënie me Qira të Tokës Ndërtimore në Pronësi Shtetërore. 
 
Sipas zëvendësministrit të Financave, Ardian Xheladini, ndryshimet e propozuara ligjore janë bërë në dobi të qytetarëve, të cilët nga një sërë arsyesh deri më tani nuk kanë arritur të dorëzojnë kërkesë për privatizim.
 
“Me këtë do të mundësohet që një numër i madh i shfrytëzuesve të tokës ndërtimore, të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë dorëzuar kërkesë për privatizim, të kenë edhe një mundësi që këtë ta bëjnë dhe në këtë mënyrë ta realizojnë të drejtën e tyre të pronësisë”- theksoi Xheladini.
 
Krahas kësaj, me ndryshimet propozohet që subjektet juridike, të cilëve në periudhën e kaluar u janë ndarë vendime për të drejtë shfrytëzimi të sipërfaqeve të mëdha të tokave, ta privatizojnë vetëm atë pjesë në të cilën ndodhet objekti afarist.
 
Ndryshimet morën mbështetje nga anëtarët e komisionit, të cilët vlerësuan se me to qytetarët do të kenë benefit më të madh. 
 
Në seancën e sotme u pranuan dhe u dhanë në lexim të dytë edhe plotësimet e Ligjit për Shitje të Banesave në Pronësi Shoqërore.