Maqedoni

Zaharieva: Mbështetja për RMV-në asnjëherë nuk ka qenë e pakushtëzuar

02.10.2019 11:24

Zëvendëskryeministrja dhe shefe e Diplomacisë së Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva...

Zëvendëskryeministrja dhe shefe e Diplomacisë së Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, ka sqaruar se mbështetja bullgare për eurointegrimin e Maqedonisë së Veriut, asnjëherë nuk ka qenë mbështetje pa kushte. Ka një kusht shumë të qartë, janë marrëdhëniet e mira fqinjësore, deklaroi Zaharieva.
 
“Nuk ekziston mënyrë të synoni të bëheni anëtare e BE-së dhe të keni marrëdhënie bilaterale të pazgjidhura. Ai nuk është vetëm kriteri bullgar, por një nga kriteret për anëtarësim në BE – marrëdhënie të mira fqinjësore dhe miqësore”,- tha Zaharieva në deklaratë për TV bullgar Nova.
 
Sipas saj, pjesa historike mes Shkupit dhe Sofjes është çështje më e rëndë nga kontesti për emrin që ishte zgjidhur me Marrëveshjen e Prespës.
 
“Marrëveshja e Prespës është bilaterale. Nuk është lehtë të ndërrohet emri i vendit tuaj, por pjesa historike mes Bullgarisë dhe Maqedonisë është më e rëndë. Tërë identiteti dhe historia e ekzistimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga viti 1944 është themeluar në disa pjesë të historisë sonë të përbashkët”, theksoi Zaharieva. Ajo thotë se Marrëveshja për miqësi në të cilën është parashikuar bashkëpunimi në ekonomi, turizëm, lidhje infrastrukturore, kulturë, arsim etj, jep rezultate.
 
“Pas nënshkrimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, vetëm për nëntë muaj këmbimi tregtar është rritur për 13 për qind, por do të dëshiroja të shoh më shumë mediume bullgare në Maqedoni. Në fushën e kulturës organizohen festivale të përbashkëta, shfaqje teatrore etj. Në dispozicion janë mjetet për Korridorin 8. Për fat të keq, nevojitet kohë. Së shpejti do të fillojë edhe zgjerimi i vendkalimeve kufitare. Qëllimi është nga Sofja në Shkup të arrihet për dy orë e gjysmë dhe njerëzit të jenë së bashku. Megjithatë nuk duhet ta nënvlerësojmë historinë”,- deklaroi Zaharieva.
 
“Por, për t’u zgjidhur çështjet e hapura nuk do të ndihmojë as diplomacia e fortë dhe as e butë, por duhet të ketë ekuilibër dhe bashkëpunim”,- theksoi shefja e diplomacisë bullgare.