Procesi eurointegrues, Havisto: Ju mbështesim, por kujdes sundimin e ligjit
Finlanda shpreson që Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë t’i caktohet datë...

Finlanda shpreson që Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë t’i caktohet datë për fillimin e negociatave pas dy javëve, në Samitin e KE-së.
Ministri finlandez i punëve të jashtme, Peko Havisto, pas takimit me homologun e tij, Nikolla Dimitrov, tha se Finlanda, si kryesuese e BE-së, do të angazhohet të ketë ndikim pozitiv tek vendet tjera të BE-së, por megjithatë theksoi se vendet anëtare vendosin në mënyrë individuale. Potencoi se RMV ka ende çështje të hapura që prekin sferën e sundimit të së drejtës.
“Nuk mund të them nëse jam optimist apo pesimist, megjithatë debati për integrimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë po intesifikohet në Bruksel. Vendet anëtare duhet të deklarohen për pozicionet e veta dhe ka shumë komente pozitive. Shpresoj se pozita jonë si kryesuese e BE-së ka ndikim. Ballkani Perëndimor është pjesë natyrore e bashkëpunimit tonë”,- tha ministri i punëve të jashmte në Finlandë, Peka Havisto.
Dimitrov: Vendimi, guxim për rrugëtimin drejt së ardhmes
Ministri Dimitrov shpreson në marrjen e datës për fillimin e negociatave. Vendimi i Këshillit Evropian i hap rrugën demokratike dhe moderne vendit tonë, tha Dimitrov.
“Sinqerisht shpresoj se Finlandën do ta përmendim si vend që në kohën kur kryesonte me BE-në, morëm datë për bisedime. Ai vendim do të jetë sukses i përbashkët dhe guxim i rëndësishëm për të vazhduar rrugën që e kemi hartuar kohë të gjatë, për rregullimin e shtëpisë dhe RMV-në ta bëjmë moderne, demokratike dhe evropiane”,- tha ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
Bisedimet do të jenë proces që do të kërkojnë angazhime dhe gjërat nuk do të ndryshojnë brenda natës, përkujton Dimitrov, por marrja e datës, sipas tij, do të sjellë me vete përkrahje dhe fonde, për të ndërtuar jetën europiane në vendin tonë. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
