Ambasada e Kosovës, shërbime konsullore me kapacitet të plotë
Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup....

Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup ka krijuar kushte për dhënien me kapacitet të plotë të shërbimeve konsullore.
Ambasadori, Gjergj Dedaj, sqaron se shërbimi konsular pranë kësaj ambasade, pajis me viza qytetarët e shteteve që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, por edhe kryen shërbime administrative për qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë.
“Pajisim me dokumente kur kemi martesa nga Kosova në RMV dhe anasjelltas, pastaj lejet e udhëtimit raste të lindjes së foshnjave pranë klinikave në Shkup, raste të vdekjes e kështu me radhë”,- tha ambasadori i Republikës së Kosovës në RMV, Gjergj Dedaj.
Dedaj: Së shpejti edhe me një zyrë të re konsullore
Ambasadori Dedaj, njëherit paralajmëroi se Kosova së shpejti do të hapë edhe konsullatën e saj në njërin nga qytetet veriperëndimore të Maqedonisë së Veriut.
“Së shpejti do ta hapim edhe konsullatën e përgjithshme të Republikës së Kosovës në njërin nga qytetet e Maqedonisë veri perëndimore, që të jemi sa më afër qytetarëve dhe nevojave të tyre, por edhe sa më afër shtetit të RMV-së, me të cilin kemi raporte të shkëlqyeshme dhe jemi të interesuar t’i zhvillojmë këto raporte”,- u shpreh ambasadori i Republikës së Kosovës Në RMV, Gjergj Dedaj.
Ambasadori Dedaj njëherit përshëndeti progresin që po arrin Republika e Maqedonisë së Veriut dhe shfaqi shpresë se shumë shpejtë do të marrë dritën e gjelbër në procesin e integrimit në BE dhe NATO, pasi ky është lajm i mirë për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor. (Gyltene Sinani, TVM2)
