Maqedoni
Gjukanoviq në Shkup: Podgorica përkrah fort integrimin në NATO dhe BE
02.10.2019 15:35
Në një ceremoni të lartë shtetërore dhe ushtarake, presidenti i Republikës, Stevo Pendarovski....

Në një ceremoni të lartë shtetërore dhe ushtarake, presidenti i Republikës, Stevo Pendarovski, priti kreun e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Vendet ndajnë një të kaluar të përbashkët dhe synime të përbashkëta, siç është anëtarësimi në NATO dhe BE, konstatuan krerët e dy shteteve përkatëse. Në këtë kontekst, Mali i Zi, si vend anëtar i NATO-s, veç më ka ratifikuar protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (OTAV) dhe me të njëjtën forcë vazhdon lobimin për integrimin e dy vendeve në Unionin Evropian.
“Konsideroj se është shumë me rëndësi që ta mbështesim fuqishëm edhe Maqedoninë e Veriut si dhe të gjitha vendet e rajonit tonë në këtë rrugë. Në të gjitha kontaktet që kemi në politikën tonë të jashtme, theksojmë rëndësinë për vazhdimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi konsiderojmë se ajo rrugë nuk ka alternativë kur është në pyetje vënia e stabilitetit të qëndrueshëm në rajon”,- tha presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Pendorovski: BE të njohë momentin
“Kryetari Gjukanoviq më bindi se përkrahja e Malit të Zi do të vazhdojë edhe më tej, ndërkaq së bashku konstatuam se Unioni Evropian duhet të njohë momentin dhe Maqedonia e Veriut këtë muaj përfundimisht do të marrë datën për fillimin e negociatave paraqasëse. U pajtuam se nuk ka forcë më të madhe lëvizëse dhe transformuese se sa proceset integruese, të cilat na udhëzojnë në bashkëpunim dhe në ndërtimin e shoqërive me standardeve dhe parimeve më të larta evropiane”,- theksoi presidenti i Republikës, Stevo Pendarovski.
Veç bashkëpunimit dypalësh, sidomos në fushën e mbrojtjes, dy vendet nuk kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik. Presidentët kanë shqyrtuar edhe mundësitë e bashkëpunimit rajonal dhe asetet që ofron BE për këtë qëllim. Vizita e presidentit malazez, Millo Gjukanoviq, është vizita e parë zyrtare e një presidenti të huaj në Maqedoninë e Veriut në mandatin e presidentit, Stevo Pendarovski.
SHPËTIM NUREDINI
