Maqedoni

Rebalanci i buxhetit, projektet në komunat shqiptare përplasën deputetët

02.10.2019 16:19

Me akuza, kundërakuza dhe me lëvdata për atë se kush ka bërë më shumë për shqiptarët, u karakterizua debati i radhës në Komisionin...

Me akuza, kundërakuza dhe me lëvdata për atë se kush ka bërë më shumë për shqiptarët, u karakterizua debati i radhës në Komisionin për financa dhe buxhet, ku shqyrtohen propozim amendamentet për rebalancin e buxhetit. ASh propozoi amendamentin për ndarjen e mjeteve për kanalizim në komunë të Haraçinës. Zëvendësministrja Elezi sqaroi se veç më janë ndarë mjete për këtë qëllim. Megjithatë, për ASh-në gjithnjë thuhet se ka mjete, por realizimi nuk shihet askund. 
 
“Mjetet veç më janë të siguruara për vitin 2019, për fillimin e punimeve, gjegjësisht për projekt dokumentacion prej 5 milion denarësh, ndërsa ky projekt është i planifikuar në vlerë prej 105 milion denarësh dhe do të duhet të realizohet gjatë kësaj periudhe, domethënë në vitin 2022 duhet të përfundojë”,- tha zëvendësministrja e financave, Shirete Elezi.
 
“Ka disa lëvizje pozitive në këtë drejtim që janë siguruar mjetet. Por, do të kujtoj këtu se i njëjti amendament është parashtruar gjatë miratimit të buxhetit për vitin 2019 dhe atëherë është refuzuar”,- u shpreh Syreje Rashidi nga ASh. 
 
Kanalizimi në Haraçinë përplasi edhe partitë maqedonase që nuk u dakorduan dot se i kujt është projekti fillestar. 
 
“Kjo është një argument shtesë se kjo qeveri e udhëhequr nga LSDM, si dhe vetëqeverisja po ashtu e udhëhequr nga LSDM, zgjidh problemet historike të asaj ane”,- tha Agim Murtezanov nga LSDM.
 
“Në shekullin 21 nuk duhet të bisedojmë për probleme me ujë dhe kanalizim, përndryshe ky projekt kishte filluar në vitin 2012 nga qeveria e VMRO-së, ashtu që konstatimi i kolegut Agim Murtezanov bie në ujë”,- u shpreh Zhaklina Peshevska nga VMRO-DPMNE.
 
Edhe ASh kundërshton deklarimet e LSDM-së se qeveria mendon për të gjithë qytetarët e saj. 
 
“Ti koleg Agim, do të duhej të ishe i fundit që flet për të drejtat e barabarta, sepse vjen prej një vendbanim, ku e ki Çashkën ku fëmijët nuk kanë të drejtë të mësojnë në gjuhën shqipe”,- tha Arta Toçi nga ASh.
 
Kjo është dita e fundit e shqyrtimit të propozim amendamenteve. Nga opozita vazhduan ankesat se po merren parasysh vetëm propozim amendamentet e parashtruara nga ana e shumicës parlamentare. 
 
ERSAN PAJAZITI