Tregu i kapitalit, duhet harmonizuar rregullativa me atë të BE-së
Ekspertët dhe autoritetet diskutuan rreth përmirësimit të ambientit...

Ekspertët dhe autoritetet diskutuan rreth përmirësimit të ambientit në të cilin funksionon tregu i kapitalit në vend.
Zgjidhjet e reja ligjore në sferën e tregut të letrave me vlerë duhet të jenë në përputhje me direktivat europiane. Sfidë për vendin mbeten aspektet fiskale, nëse do të tatimohen fitimet kapitale dhe çfarë do të bëhet me kotacionin e detyrueshëm i cili vlen deri në prill të vitit të ardhshëm.
“Tregu i kapitalit apo i letrave me vlerë ende paraqitet si një tregim i pambaruar, por edhe një risi për shtetin tonë. Megjithatë konsideroj se ka hapësirë edhe për rritje të mëtutjeshme si brenda shtetit ashtu edhe nëpërmjet integrimit rajonal. Në afat të shkurtër është e nevojshme harmonizimi i rregullativave ligjore me direktivat europiane”,- tha kryetarja e Komisionit për letra me vlerë, Nora Aliti.
“Është e qartë se në suaza të një kompanie shumë vështirë mund të sigurohet kapital për një përparim dinamik të kompanisë. Unë i inkurajoj të gjitha kompanitë me përgjegjësi të kufizuar të cilat kanë ide për rritjen e tyre, të kalojnë në shoqëritë aksionare dhe të mundohen në tregun e letrave me vlerë të sigurojnë kapital për zhvillim e tyre”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
Sipas të pranishmëve, dy vitet e fundit vendi po shënon rezultate pozitive në bursë, e ky vit sipas shumë treguesve është viti i dytë më i mirë në dekadën e fundit. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
