Restaurohen 97 vitrina të dyqaneve, 1 mln euro investim në Çarshinë e Vjetër në Shkup
Gjithsej 97 vitrina do të restaurohen deri në fund të vitit në Çarshinë e Vjetër të Shkupit...

Gjithsej 97 vitrina do të restaurohen deri në fund të vitit në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Shuma e ndarë për restaurim në fazën e tretë ka për qëllim ruajtjen e autenticitetit të ndërtesave të vjetra, ndërsa me këtë bëhen më tërheqëse për turistët e huaj.
Shuma e përgjithshme që do të investohet kap shifrën prej 1 milion euro, ndërsa këto mjete janë siguruar nga Ministria e Ekonomisë, Komuna e Çairit dhe Banka Botërore.
“Ne si Ministri e Ekonomisë në kontinuitet do të përkrahim projektet e tilla me të vetmin qëllim, që të kthejmë autenticitetin e Çarshisë së Vjetër, por njëkohësisht përmes këtyre projekteve rrisim edhe numrin e vizitorëve në Çarshi, një lokacion historik i cili nuk është i rëndësishëm vetëm për komunën e Çairit, jo vetëm për qytetin e Shkupi, por është një vend që është i rëndësishëm për të gjithë shtetin”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Është një projekt që realizohet bashkërisht me Ministrinë e Ekonomisë, dy faza më herët i kemi kaluar, tani është faza e tretë, ku i përfshijmë 97 vitrina të dyqaneve. Pasi që t’i finalizojmë si projekte këto, kemi hartuar projekte tjera të cilat kanë për qëllim t’ia rikthejnë atë pamjen e lashtë Çarshisë së Vjetër, e cila është vatër e kulturës në qytetin tonë”,- theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Në dy fazat e më hershme janë rikonstruuar 49 objekte të vendosura në bllokun 3.2 në Çarshinë e Vjetër. Nga Ministria e Ekonomisë shtojnë se gjithnjë kanë synuar të vetëdijesojnë qytetarët për ruajtjen e autenticitetit të Çarshisë. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
