Botë
Asnjë pajtim mes partive në Shqipëri, Basha ultimatum qeverisë, Rama ironizon
02.10.2019 19:37
Në Shqipëri nuk ka ende asnjë shenjë pajtimi mes mazhorancës dhe opozitës...

Në Shqipëri nuk ka ende asnjë shenjë pajtimi mes mazhorancës dhe opozitës, edhe pse kanë ngelur afro dy javë deri në vendimin e Këshillit Europian për çeljen e negociatave.
Lulzim Basha i dha ultimatum kryeministrit që të zbatojë planin e opozitës për reformën zgjedhore, ose të largohet.
“Kjo nuk është një çështje për Bashën, nuk është një çështje për Ramën. Shqipëria është në krizë, vendi është në krizë. Ne kemi një plan për ta nxjerrë vendin nga kriza. Ne kemi një plan për reformën zgjedhore. Ia kemi dorëzuar këtë plan Edi Ramës dhe përfaqësuesve të tij. Ta marri ta zbatojë, nëse nuk e zbaton dot të hapë krahun se jemi të gatshëm ta zbatojmë ne”,- tha kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Në një reagim, Edi Rama la të kuptohet se e konsideron këtë deklaratë absurde, duke përdorur edhe ironinë.
“Unë mendoj se sa të harxhojmë kohën e njerëzve me procesin “ai tha, po ti si thua”, më mirë të merremi me problemet reale. Tërmetet artificiale unë kam në dorë t’i krijoj, por nuk mund t’i ndaloj kur ndodhin në një vend tjetër. Është njësoj tani sikur një karrocë me kalë t’i thotë trenit hap krahun”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në propozimet e opozitës, parashikohet që reforma zgjedhore të bëhet me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, propozim i cili nuk pranohet nga kryeministri, Edi Rama.
LULJETA NDOKA
