Botë

Paralizohet Greqia, sindikatat në grevë të përgjithshme

02.10.2019 20:02

Greqia është paralizuar nga greva e përgjithshme 24-orëshe kundër reformave të qeverisë konservatore të Mitsotakisit...

Spitalet funksionojnë me personel sigurie,  mjetet e shërbimit publik kanë funksionuar vetëm për disa orë,  tragetet që lidhin Pireun me ishujt grekë kanë qëndruar të ankoruar , në grevë janë  arsimtarët, nëpunësit e bankave, ndërtuesit. 

Edhe televizionet dhe radiot janë në grevë , e nuk do të dalin as numrat e nesërm të gazetave. 

Greva u iniciua nga Konfederata e Përgjithshme e Punëtorëve me pjesëmarrjen edhe të Konfederatës së Administratës së Përgjithshme të Greqisë .

Sindikatat kundërshtojnë projektligjin  për punësim dhe sindikalizëm që  sipas tyre, do të vështirësojë organizimin  e grevave, madje ka  edhe  dispozita të pafavorshme për negociatat kolektive, përfaqësimin e sindikatave, pagën dhe kushtet e punës për mijëra të punësuar.

Kryeministri Mitsotakis me një mesazh në Facebook ka përkrahur projektligjin , sipas tij , në  grevë marrin pjesë shumë pak sindikalistë, dhe shumica e qytetarëve torturohen nga ky veprim.

Opozitarja SYRIZA, mbështet grevën dhe kundërshton projektligjin qeveritar që sipas saj ka si qëllim të minojë  arritjet e sindikalistëve dhe  shkel të drejtat elementare të punëtorëve.