Vetingu në MPB, grupi i punës duhet të formohet deri më 21 tetor
Qeveria ka miratuar tashmë propozim – planin....

Qeveria ka miratuar tashmë propozim – planin dhe dinamikën e zbatimit të procesit të vetingut ndaj të punësuarve në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Ministri, Oliver Spasovski, është obliguar që të formojë grupin e punës deri më 21 tetor.
“Qeveria e obligoi ministrin e punëve të brendshme, më së voni deri më 21 tetor 2019, ta formojë grupin e punës së përcaktuar për zbatimin e procesit të vetingut të të punësuarve në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe përmes kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut të kërkojë në grupin e punës të marrin pjesë më së shumti tre përfaqësues të partive politike në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët do të jenë në rolin e vëzhguesve të procesit të vetingut në Ministrinë e Punëve të Brendshme”,- tha zëdhënësi i Qeverisë së RMV-së, Muhamet Hoxha.
Në grupin e punës, krahas përfaqësuesve të MPB-së, do të marrin pjesë edhe përfaqësues të bashkësisë akademike, Sindikatës së policisë, OSBE-së, Ambasadës së ShBA-ve, si dhe përfaqësues të sektorit joqeveritar. (Leunora Kaliqi, TVM2)
