Maqedoni
Rasti “Talir”, gjykimi shtyhet për më 5 nëntor
03.10.2019 16:03
Gjykimi për rastin “Talir”, që ka të bëjë me financimin joligjor të VMRO-DPMNE-së...

Gjykimi për rastin “Talir”, që ka të bëjë me financimin joligjor të VMRO-DPMNE-së, assesi të fillojë edhe pas 8 muajsh dhe dhjetë gjykimesh të anuluara.
Seanca e sotme u anulua për 5 nëntor, ku duhet të arsyetohen listat e dëshmive. Mbrojtja vazhdon të këmbëngulë se prokurorja, Lençe Ristevska, nuk e ka autorizimin e duhur për të përfaqësuar akuzën, Ristevska vërtetoi se ka autorizim nga kryeprokurori Jovevski për të qenë paditës i autorizuar në procedurë.
Avokati, Donço Nakov, e cilëson si joligjor këtë autorizim, por gjykatësi, Osman Shabani, hodhi poshtë kërkesën e mbrojtjes.
E kjo e fundit atëherë kërkoi anulimin e seancës për të pasur kohë të përgatitet për arsyetimin e listës së dëshmive të propozuara.
Mbrojtja reagoi edhe në faktin që “bombat” të mos jenë pjesë e kësaj procedure dhe kërkoi që e njëjta të ndërpritet. Seanca e parë për rastin “Talir” u mbajt më 18 shkurt të këtij viti dhe të akuzuarit janë: Nikolla Gruevski, Kiril Bozhinovski dhe Mile Janakieski, që akuzohen për “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizime” dhe “larje parash” dhe Ilija Dimovski, Leko Ristoski dhe Elizabeta Çingarovska të akuzuar vetëm për veprën “larje parash”.
Elizabeta Çingarovska e pranoi fajin dhe mori dënim të kushtëzuar me burg prej dy viteve, e cila nuk do ta vuajë nëse në pesë vitet e ardhshme nuk bën vepër tjetër penale.
Sipas akuzës, ata në mënyrë joligjore kanë marrë së paku 4,6 milion euro për partinë, ndërsa pastaj kanë organizuar që paratë të dërgohen në xhirollogarinë e partisë përmes fletëpagesave në emër të personave të ndryshëm.
REJHANE BUSHI METAJ
