Maqedoni
Mickovski: Ekip ekspertësh për të shpëtuar vendin. LSDM: Nga pragu i humnerës, dolëm në rrugë të drejtë
03.10.2019 16:47
Partitë maqedonase vazhdojnë akuzat se kush ka bërë më shumë për qytetarët e kush po e varfëron më shumë popullin...

Kreu i VMRO-së, Mickovski, akuzon qeverinë se ka qëllim të vetëm vjedhjen dhe pasurimin personal.
VMRO ka formuar tashmë ekip prej 16 ekspertësh vendas e të huaj, që, sipas Mickovskit, do të ndihmojnë në krijimin e politikave për një jetë më të mirë.
E menjëhershme ishte kundërpërgjigja e LSDM-së. Ishim në prag të humnerës, tani jemi në rrugë të drejtë, thonë nga partia në pushtet, duke përkujtuar opozitën në rritjen e investimeve të huaja, rrogave e eksportit dhe rreth 49 mijë punësimet në dy vjet.
“Deri tani më shumë se 10.000 qytetarë shprehën problemet e tyre. Ne do të ofrojmë zgjidhje për problemet. Në këtë drejtim kam formuar ekip të bashkëpunëtorëve strategjikë nga profesionistë të shquar”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
“Për 11 vite regjimi varfëroi qytetarët për të pasuruar “familjen”. Ekonomia shkonte në ulje, vendi ishte tërësisht i izoluar, liria е ngulfatur, mediumet të robëruara, liritë e njeriut nuk respektoheshin. Shteti ishte në pragun e humnerës, peng i Nikolla Gruevskit dhe VMRO-DPMNE-së. Tani hapërojmë në rrugën e drejtë. Ekonomia nga -1.7%, tani ka rritje në 4.1%, ndërsa papunësia historikisht është në nivelin më të ulët”,- theksoi Ljupço Nikollovski nga LSDM.
GAZMEND KURTISHI
