Maqedoni
Vullnetarët e Kryqit të Kuq në aksion, orientojnë pacientët në QK “Nënë Tereza”
03.10.2019 17:04
15 vullnetarë të Kryqit të Kuq, do të orientojnë pacientët se si më lehtë të arrijnë nëpër klinikat...

15 vullnetarë të Kryqit të Kuq, do të orientojnë pacientët se si më lehtë të arrijnë nëpër klinikat në qendrën klinike “Nënë Tereza” në Shkup.
Çdo ditë pune ata do jenë në 7 punkte të caktuara, prej orës 8:30 deri në mesditë, mes tyre do të ketë edhe mjekë edhe infermierë të pensionuar.
Vullnetarët shprehen të gatshëm për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.
“Roli ynë do të jetë t’i udhëzojmë qytetarët aty ku është e nevojshme, sepse shkaktohet shumë rrëmujë nëpër klinika”,- tha vullnetari nga Kryqi i Kuq.
“Nëse funksionon do të vazhdojmë edhe më tutje me këtë projekt”,- tha vullnetare nga Kryqi i Kuq.
Autoritetet presin që ky projekt të ulë rrëmujat në oborrin e qendrës klinike.
“Ky është vetëm fillimi i projektit që do të mundësojë reagim më të shpejtë për pacientët nga mjekët dhe personeli mjekësor, që pacientët të marrin shërbim të shpejtë dhe cilësor”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
“Vullnetarët kanë kaluar në trajnim adekuat që ka të bëjë me njohuritë themelore të ndihmës së parë, komunikimit si dhe mënyra për dhënien e ndihmës së parë psikologjike. Ata janë të pajisur në mënyrë adekuate dhe do të jenë të njohur për qytetarët me uniformën e Kryqit të Kuq”,- tha sekretari gjeneral i Kryqit të Kuq, Sait Saiti.
Janë përgatitur edhe broshura me informacione bazike rreth punës së vullnetarëve, si dhe një hartë me të gjitha klinikat brenda Qendrës klinike.
VLORA LATIFI TOPOJANI
