Maqedoni

Bllokimi bullgar për eurointegrimet, Zaev: S’ka plan B, RMV në BE interes i Bullgarisë. Manaskova: Asgjë s’kemi fituar nga marrëveshja

03.10.2019 17:18

Qeveria pa plan B, nëse Bullgaria tenton të bllokojë procesin e nisjes së bisedimeve për anëtarësim të vendit në Bashkimin Europian...

Qeveria pa plan B, nëse Bullgaria tenton të bllokojë procesin e nisjes së bisedimeve për anëtarësim të vendit në Bashkimin Europian, pas deklarimeve të presidentit bullgar, Rumen Radev, se integrimi i Maqedonisë së Veriut nuk duhet lejuar në kurriz të historisë bullgare.
 
Kryeministri Zaev nga foltorja e Kuvendit në seancën për pyetje deputetësh, siguroi se Marrëveshja me Bullgarinë siguron identitetin maqedonas, ndërkaq ftoi komisionet e përziera të thirren në dokumente të historisë dhe nëpërmjet tyre të ndërtojnë miqësi.
 
“Interesi i Bullgarisë është që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e NATO-s, të nis bisedime dhe bëhet anëtare e BE-së, pasi që sjell benefite ekonomike, të kulturës, arsimit dhe shëndetësisë. Nëse dikush niset drejt bllokimit, s’kemi plan B, duhet t’i kthehemi planit A, pasi që besojmë se të gjitha argumentet tani janë siguruar. Unë pres që Bullgaria dhe Greqia të jenë avokatët tanë në Bruksel, për marrjen e datës për nisjen e bisedimeve”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Opozita akuzon se Marrëveshja me Bullgarinë në vend se të mbyll, ka hapur edhe më shumë mosmarrëveshje historike midis dy vendeve.
 
“Nuk vihen çështje të tilla sensitive në marrëveshje që më pas kalojnë në ligj. Përfundojmë se asgjë nuk është zgjidhur në të mirën tonë. Tani kemi komisione historike dhe nevojitet që të gjitha institucionet të aktivizohen dhe t’u ndihmojnë këtyre komisioneve që të shpëtohet diçka që ka mbetur e padevalvuar”,- tha deputetja e VMRO-DPMNE-së, Magdalena Manaskova.
 
Deputetët paraqitën edhe pakënaqësitë për punën e pushtetit. Adresuan kritika ministrive se deputetëve nuk ua kthejnë përgjigjet në kohë dhe sidomos dikastereve të punëve të brendshme dhe mbrojtjes, të cilët nuk përgjigjen në pyetjet e parashtruara vetëm në gjuhën shqipe.
 
MERAL ISMAILI