Maqedoni
Interkulturalizmi, shoqëri funksionale me respektimin e dallimeve
03.10.2019 17:32
Për një shoqëri funksionale multietnike është e patjetërsueshme integrimi dhe respektimi i ndërsjellë i të gjithë qytetarëve...

Për një shoqëri funksionale multietnike është e patjetërsueshme integrimi dhe respektimi i ndërsjellë i të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, fetare, gjuhësore apo kulturore.
Në konferencë ndërkombëtare kushtuar konceptit për një shoqëri dhe interkulturalizmit, kryeministri Zaev tha se dallimet në vendin tonë duhen konsideruar si përparësi e duhen shfrytëzuar pozitivisht.
Shefi i diplomacisë, Dimitrov përkujton se vendi gjendet në fazën finale të ndërtimit të një strategjie nacionale për rritjen e vlerave të konceptit “një shoqëri për të gjithë”.
“Interkulturalizimi është ngushtë i lidhur me vlerat e sundimit të së drejtës dhe të drejtës njerëzore. Për atë qëllim realizimi i kësaj strategjie ka për qëllim ndërtimin e shtyllave kryesore për një shoqëri për të gjithë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
“Pamë dhe ndjemë në lëkurën tonë se të gjithë jemi në anijen e njëjtë edhe maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, vllehë, boshnjakë, romë, se kur nuk ka drejtësi nuk ka ecur mirë, kur sundon korrupsioni, të gjithë jemi të dëmtuar, kur nuk na ec ekonomia të gjithë jemi të dëmtuar. Sa më shumë që u afrohemi këtyre vlerave, aq më i fuqishëm do të jetë kombi”,- theksoi ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov.
Ndërkombëtarët porosisin të tejkalohen dallimet, të sendërtohet Marrëveshja e Ohrit, e të promovohet jetesa e përbashkët në paqe dhe progres. Theksuan mbështetjen e tyre për strategjinë.
“Qëndrimi i Parlamentit dhe i Qeverisë vetëm tregon se qëndrojnë prapa parimit, të cilin ne në OSBE, por edhe në OKB, duam ta shtyjmë si strategji për krijimin e një shoqërie për të gjithë. Besoj se me sukses do ta zbatoni këtë strategji dhe do të siguroni të ardhme stabile për të gjithë anëtarët e shoqërisë pa dallim të përkatësisë etnike”,- tha komisioneri i lartë i OSBE-së për etnitetet, Lamberto Zanier.
“T’i spostojmë dallimet dhe t’i thellojmë proceset integruese. Shpresojmë se pasi që strategjia do të miratohet, do të sjellë deri në bashkësi më perspektive dhe stabile në Maqedoninë e Veriut”,- u shpreh shefi i misionit të OSBE-së në Shkup, Klement Koja.
“Nuk ka shoqëri të suksesshme pa njerëz të plotësuar dhe të realizuar, qytetarët nuk mund të japin kontribut nëse konsiderojnë se dinjiteti i tyre, specifikat etnike dhe kulturore nuk respektohen”,- tha ambasadori i BE-së në RMV, Samuel Zhbogar.
Nga diskutimi janë kyçur edhe ekspertë, deputetë dhe profesorë universiteti që do të ndihmojnë për të krijuar versionin përfundimtar të strategjisë.
FITIM KRYEZIU
