Maqedoni
Shkollë e re në Idrizovë, obligohet komuna të sigurojë dokumentacionin. Prindërit këmbëngulin: 11 fëmijët të vijojnë mësimin në Sh. F. “Njegosh”. Alimi: S’është patriotizëm ndalimi i mësimit në shqip
03.10.2019 17:46
Qeveria i dha detyrime konkrete komunës së Gazi Babës që të sigurojë dokumentacionin e nevojshëm...

Qeveria i dha detyrime konkrete komunës së Gazi Babës që të sigurojë dokumentacionin e nevojshëm për ndërtimin e shkollës së re në Idrizovë.
Komuna duhet tani të ndajë tokë në pajtim me nevojat dhe numrin e nxënësve, të bëjë elaboratin gjeodezik, atë të efikasitetit energjetik dhe raportin përfundimtar për projektin themelor dhe gjithashtu të dorëzojë edhe kërkesë te MASh për ndërtimin e shkollës.
Deri në ndërtimin e shkollës së re, Qeveria i rekomandon komunës së Gazi Babës, që në pajtim me prindërit të sigurojë të gjitha kushtet e nevojshme që fëmijët shqiptarë të mësojnë atje ku vendosin prindërit.
“Në bashkëpunim, komuna dhe prindërit duhet të vendosin se ku do të mësojnë nxënësit, atje ku do të vendosin prindërit e nxënësve se duhet të fillojë procesi edukativo-arsimor atje do të fillojë. Për të siguruar këtë është e obliguar komuna e Gazi Babës”,- u shpreh zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.
Nga Këshilli i prindërve pohojnë se të premten pasdite do të takohen me kreun e komunës, Georgievski, për ta informuar se vendimi i tyre është që 11 nxënësit e klasës së gjashtë mësimin do ta vazhdojnë në Shkollën “Njegosh” në Jurumleri.
“Derisa të ndërtohet objekti, ne fëmijët tanë do t’i dërgojmë në Shkollën “Njegosh” dhe askund tjetër, nuk pranojmë në asnjë shkollë tjetër. Bëhet fjalë vetëm për paralelen e klasës së gjashtë aty janë 11 nxënës, ndërsa nxënësit tjerë kur të ndërtohet objekti besojmë se do t’i kthejmë nga të gjitha shkollat ku janë të shpërndarë fëmijët tanë”,- u shpreh kryetari i Këshillit të prindërve, Rizvan Seferi.
Çështja e kësaj shkolle u problematizua edhe në Kuvend. BDI kërkoi një orë pauzë në shenjë respekti e solidarizimi me nxënësit që kanë humbur 1 muaj mësim. Gjatë kësaj ore, deputeti Alimi kërkoi që të takojë ministri kryeministri e grupet parlamentare për të gjetur zgjidhje.
“Banorëve që janë kundër hapjes së paraleles në gjuhën shqipe, duhet t’u tregohet se nuk është partriotizëm pengimi i tjerëve për të mësuar në gjuhën amtare”,- tha koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Ejup Halimi.
Por, opozita kërkoi të mos humbet kohë me pauza e të mos politizohet kjo çështje në seancën kushtuar pyetjeve të deputetëve. Megjithatë, pauza u dha.
Të premten kryetari i Këshillit të prindërve, Rizvan Seferi, do të informohet nga kreu i Gazi Babës, Georgievski, edhe për planet për ndërtimin e objektit të ri shkollor në fshatin Idrizovë.
FLUTURA LATIFI
