Maqedoni

“Zhvatja 2”, Milloshovski: Kush e informon Zaevin për hetimet? Zaev: Nuk kam “informatorë” në prokurori

03.10.2019 18:01

Deputetët shfrytëzuan të drejtën për të kërkuar llogari nga ekzekutivi në seancën për pyetje deputetësh...

Antonio Milloshovski nga VMRO akuzoi kryeministrin se ka shkelur kodin penal kur deklaroi se ka njohuri se Prokuroria ka ngritur procedurë parahetimore për rastin e ashtuquajtur “Zhvatja 2”.
 
Ai pyeti kryeministrin nëse ai kërkon informacione nga institucionet e akuzës ose ka prokurorë dhe gjykatës që vetë ia ofrojnë një shërbim të tillë.   
 
“A nuk konsideroni se në këtë mënyrë, ju si kryeministër cenoni pavarësinë e Prokurorisë?! A ju njofton Prokuroria për nisjen e procedurave parahetimore dhe hetimore?! A kërkoni ju që t’ju informojnë për nisjen e procedurave parahetimore dhe hetimore ose kjo ndodh me nismë të tyre?! Apo për procedurat parahetimore dhe hetimore për çdo skandal, ndoshta korruptimi, kriminal ose inekzistent, ju njoftojnë ato institucione nga të cilat kërkohen informata?!”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
 
Kryeministri Zaev hodhi poshtë si të pavërteta pretendimet e deputetit Milloshovski. Sipas tij, në rastin konkret ai thjesht ka njoftuar investitorin potencial se ka procedurë parahetimore. 
  
“S’kam në plan të kërkoj të dhëna për procedura parahetimore, hetimore dhe të ngjashme, pasi kjo nuk është me interes për mua. Kur është me interes për qytetarët, kanë mundësi që ta kërkojnë përmes mediave ose drejtpërdrejt në instancat e gjyqësisë. Por, kur institucione nga gjyqësia u drejtohen institucioneve të caktuara, qoftë gjyq apo prokurori, me automatizëm jeni i informuar se diku po bëhet hetim”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
 
Sipas kryeministrit, Zoran Zaev, në takimin me ambasadorin suedez dhe investitorin potencial në prezencë të ministrit të shëndetësisë dhe drejtorit të Fondit Shëndetësor ka mësuar se Prokuroria kërkon informata të caktuara për një procedurë parahetimore të caktuar dhe se kjo i është përcjellë edhe investitorit potencial, pa dhënë detaje.
 
Zaev vlerëson se kjo është qasje e ndershme ndaj investitorëve të huaj dhe vendas, ndërkaq Milloshovski konsideron se kryeministri ka shkelur Kodin Penal.       
 
SHPËTIM NUREDINI