Maqedoni
Jovevski jep edhe një tjetër autorizim, “Perandoria” sërish te prokurorja, Lile Stefanova
03.10.2019 18:37
Kryeprokurori republikan, Ljubomir Joveski, ka autorizuar prokuroren, Lile Stefanova...

Kryeprokurori republikan, Ljubomir Joveski, ka autorizuar prokuroren, Lile Stefanova, që edhe më tej ta udhëheqë hetimin për rastin e fundit të hapur nga PSP, rastin “Perandoria”.
Ky rast ka marrë tashmë vëmendjen e opinionit, pasi Orce Kamçev - njëri prej të dyshuarve, nxori pamje filmike të zanore për të vërtetuar, sipas tij, se u ka paguar “haraç” prej 1.5 milion eurosh 2 të akuzuarve në rastin “Zhvatja”, Bojan Jovanovskit dhe Zoran Milevskit, të cilët i kanë premtuar se në bashkëpunim me ish kryeprokuroren speciale Janeva, mund ta shpëtojnë nga përndjekja penale.
Stefanova tashmë ka deklaruar se ka pasur mospajtime me ish shefen e PSP-së që këmbëngulte që Kamçevit t’i hiqet paraburgimi shtëpiak, por më vonë vetë Janeva vendosi jo vetëm për heqjen e paraburgimit, por edhe për dhënien e një pasaporte të përkohshme.
Në lëndën “Perandoria”, të hapur nga PSP, më 9 nëntor të vitit 2018, në paraburgim përfunduan 5 persona, u konfiskuan pasuri të patundshme apo u ngrinë llogaritë bankare të tre firmave.
Megjithatë, hetimi asnjëherë nuk u zgjerua. Më pas erdhi vendimi parimor juridik i Gjykatës Supreme, sipas të cilit, PSP-ja nuk është paditës i autorizuar në lëndët për të cilat nuk është parashtruar aktakuzë deri më 30 qershor të vitit 2017 dhe të dyshuarit për këtë rast ishin të parët që përfituan prej tij.
Pas vendimit të Supremes e deri në “shuarjen” e saj, PSP nuk parashtroi asnjë aktakuzë lidhur me këtë rast. Në mars, podrumet e PSP-së befasisht u përmbytën dhe u dëmtuan materialet dëshmuese edhe për rastin “Perandoria”.
