Buzaku: Kreu i BFI-së keqpërdori paratë e Haxhit
Pas ultimatumit 72 orësh që i dha Skender Buzaku kreut të BFI-së, Sylejman Rexhepit....

Pas ultimatumit 72 orësh që i dha Skender Buzaku kreut të BFI-së, Sylejman Rexhepit, për t’u larguar nga ky post, meqë Rexhepi e injoroi kërkesën e Buzakut, ky i fundit në Prokurorinë Publike ka deponuar dëshmi me të cilat, sipas tij, kanë të bëjnë me keqpërdorimin e mjeteve të Haxhit 2019, që ka të bëjë me një shumë deri në 700 mijë euro.
Buzaku deri tek Prokuroria ka dorëzuar faturën e datës 5 korrik 2019, listë me të dhënat për transferin e mjeteve, ku janë paguar në vlerë prej 672000 eurosh për taksën për qëndrim në Arabin Saudite për 840 haxhinj, si dhe dëshmi tjera.
“Prokurorisë Themelore Publike i kam dorëzuar edhe dëshmi të tjera që e mbështesin kallëzimin tim penal për të cilin vlera e dëmit është afro 700 mijë euro. Janë paguar mjete në vlerë prej rreth 672000 euro për taksën për qëndrim në Arabinë Saudite për 840 haxhilerë, gjegjësisht BFI ka paguar taksë në vlerë prej 800 euro për një person, përmes një kompanie private ndërmjetëse “Amxhak Allsalam For Hotels”. Sipas rregullave të taksës së përcaktuar për qëndrim nga ana e Ministrisë për Haxh të Arabisë Saudite, taksa për qëndrim në këtë shtet është me vlerë rreth 510 euro. Fakti që personi i dyshuar pagesën e ka bërë nëpërmjet ndërmjetësit e jo në Ministrinë për Haxh, e vërteton faktin se qëllimi kryesor ka qenë përvetësimi i kundërligjshëm i këtyre mjeteve”,- tha Skender Buzaku.
Sipas tij, i vetmi person i cili dëshiron të zhvatë BFI-në është pikërisht ai vet. Buzaku po ashtu akuzoi se shumë mjete janë keqpërdorur edhe përmes vizave të Haxhit, por janë dëshmi të cilat do të publikohen në ditët në vazhdim.
“Arabia Saudite ia ka besuar çështjen e Haxhit BFI-së dhe qytetarët duhet ta dinë se vizat nuk paguhen, ato janë falas, për atë se a i shet BFI-ja këto a jo, në të kaluarën është folur shumë, por sa u përket dëshmive në momentin që kur t’i dorëzojmë të njëjtat në Prokurori do tua prezantojmë, por dëshmi ka”,- theksoi Skender Buzaku.
Përkundër këtyre pretendimeve të Buzakut, nga BFI kanë njoftuar se kryetar legjitim është Sylejman Rexhepi, duke u bazuar në vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila, siç njoftojnë nga BFI, vendosi pozitivisht për ankesën kundër vendimit gjyqësor me të cilin Skender Buzaku, duke përdorur materialin e falsifikuar, kishte arritur të emërtohej Reis Formal Juridik. Por, pas ankesës së BFI-së, Gjykata ka rikonfirmuar se Sulejman Rexhepi mbetet në krye të BFI-së. (Fitim Kryeziu, TVM2)
